Presidenti i klubit të Serisë A infektohet me koronavirus

  • 19 April 2020 - 08:19
Presidenti i klubit të Serisë A infektohet me koronavirus

Presidenti i klubit të Serisë A Brescia, Massimo Cellino, e ka konfirmuar se ai është infektuar me virusin Covid-19 bashkë me vajzën e tij, duke thënë se ishte ndierë tejet i lodhur dhe kishte pasur dhimbje.

Mediumet italiane kishin raportuar të shtunën në mbrëmje se Massimo Cellino doli pozitiv për antitrupa të virusit Covid-19 në organizmin e tij, duke sugjeruar se ai tashmë e ka kaluar këtë virus.

Megjithatë, disa orë më vonë, Cellino e konfirmoi se ai është ende i infektuar, përderisa vajza e tij ishte infektuar e para.

“Kam qenë në Cagliari për disa ditë, pasi kishim qëndruar në karantinë në Brescia për tre javë”, ka thënë ish-kreu i Cagliari e Leeds Unitedit, tani në Brescia.

“Unë shkova në spital për disa testa. Mediat morën vesh se vajza ime e kishte pasur virusin, por djali im jo. Unë jam ai që tani po vuaj nga ky virus”.

“Simptomat që unë i kam pasur kanë qenë që jam ndierë jashtëzakonisht i lodhur dhe më kamë dhimbur eshtrat”.

Brescia, Bergamo dhe Milani janë në Lombardi, në epiqendrën e pandemisë në Itali, pasi që në këtë regjion janë identifikuar më shumë sesa gjysmë e të vdekurve në Itali nga ky virus.

Cellino është presidenti i parë i Serisë A që doli pozitiv në testin për Covid-19, përderisa në Serie B ishte konfirmuar më parë infektimi i presidentit të Pordenones, Mauro Lovisa.