Rooney: Pendohem që nuk kam shënuar më shumë gola

  • 19 April 2020 - 13:15
Rooney: Pendohem që nuk kam shënuar më shumë gola

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Anglisë, Wayne Rooney, beson se është dashur të shënonte më shumë gola gjatë karrierës së tij të bujshme, edhe pse asnjëherë nuk e ka konsideruar veten si golashënues natyral.

Pasi doli në skenë me Evertonin në mënyrë të jashtëzakonshme në moshën 16-vjeçare, Rooney e siguroi kalimin në Manchester United më 2004 për një shumë të majme parash dhe i shënoi 253 gola në 559 paraqitje gjatë periudhës së tij të pasuruar me shumë trofe atje.

Rooney e kaloi Sir Bobby Charltonin si golashënuesi më i mirë në histori të Unitedit, sic bëri edhe me rekordin e Kombëtares së Anglisë duke i shënuar 53 gola në 120 paraqitje, por jo sepse e vlerësonte veten si gjuajtës të mprehtë.

“Do të jem i sinqertë – dhe kjo mund t’ju befasojë – por unë nuk jam golashënues natyral”, tha 34-vjeçari për Sunday Times.

“Kurrë nuk kam qenë si Gary Lineker apo Ruud van Nistelrooy; kurrë nuk e kam parë veten në atë mënyrë. Unë i mbaj rekordet në Manchester United dhe kombëtaren e Anglisë dhe jam shumë krenar për këtë – por ka pasur 9-sha më të mirë se unë”, shtoi ai

“Si i theva rekordet nëse nuk kam qenë golashënues natyral? Koha. Kam luajtur për Unitedin për 13 vjet, për Anglinë 15 vjet. Kam pasur kohë për t’i thyer ato rekorde dhe kur mendoj është dashur të shënoj më shumë gola”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)