Rrëfehet Materazzi: Ronaldo deshi të kthehej në Inter e jo t’i bashkohej Milanit, çka na tha Mourinho në finalen e 2010-s

  • 19 April 2020 - 14:31
Rrëfehet Materazzi: Ronaldo deshi të kthehej në Inter e jo t’i bashkohej Milanit, çka na tha Mourinho në finalen e 2010-s

Marco Materazzi është treguar tejet i sinqertë si zakonisht në rrëfimin e tij, duke zbuluar çfarë iu kishte thënë Jose Mourinho lojtarëve të Interit në pushimin mes pjesëve në finalen e Ligës së Kampionëve më 2010 dhe duke shpjeguar përse Ronaldo kishte dashur të kthehej në Inter dhe jo t’i bashkohej Milanit.

Fituesi i Kupës së Botës ishte pjesë e Interit nga viti 2001 deri më 2011, dhe u largua një vjet pas triumfit madhështor me zikaltrit; fitimit të tripletës.

Duke folur drejtpërdrejt në Instagram Materazzi tha: “Mua nuk më pëlqen që lojtarët duhet t’ia shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit pas fishkëllimës së fundit. Unë e vlerësoj dike që nuk dëshiron të ma zgjas dorën sepse unë e bezdis. Është më mirë ta ruash respektin dhe sinqeritetin”.

“Në rregull është t’i shtrëngosh duart nëse ndihesh ashtu, por nuk duhet të jetë obligim. Për shembull, unë nuk do t’ia zgjasja dorën Benitezit”, shtoi ai.

Materazzi asnjëherë nuk i ka diskutuar fjalosjet personale me Rafael Benitezin, i cili kishte zgjatur vetëm gjashtë muaj në postin e trajnerit të Interit pasi e kishte zëvendësuar Mourinhon.

“Jose ishte fenomenal. Ai e dinte sesi ta mbante në vazhdimësi nivelin e duhur të tensionit. Në pushimin mes pjesëve në finale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, ai na tha: ‘Ne jemi duke luajtur shumë mirë, duhet të luajmë më keq!’ Fantastik”, tregoi ai.

Matrix këmbëngul se Ronaldo ka mundur të kthehej në Inter dhe jo t’i bashkohej Milanit më 2007, nga ku ishte larguar shkaku i trajnerit Hector Cuper.

“T’ju them diçka që e di sigurt: Ronaldo ka dashur të kthehej te ne. Ai nuk deshi të largohej më 2002. I rashë në gjunjë në zhveshtore dhe iu përgjërova të qëndronte me ne, po ai më tha: ‘Jo, ose ai ose unë’. Në atë moment e kuptova që ai do të largohej”, shtoi ai. 


(Kosova Sot Online)