Çiklistit italian me gjest fantastik, shpërndan ilaçe për të sëmurët

  • 19 April 2020 - 22:15
 Çiklistit italian me gjest fantastik, shpërndan ilaçe për të sëmurët

Sportistët anembanë rruzullit po vuajnë për të ruajtur formën e tyre, diçka e kuptueshme nëse merret parasysh fakti që afërsisht treçereku i globit ka qenë i shtrënguar për të qëndruar në karantinë, regjim që madje vazhdon akoma edhe në shumë vende të planetit, sidoqoftë janë të shumtë sportistët që kanë menduar në bazë të mundësive të tyre për të kontribuar si financiarisht, ashtu edhe me forma të tjera, duke ndihmuar kështu komunitetin me mënyra të ndryshme.

Përjashtim nuk bën as çiklisti profesionist Italian, Davide Martinelli, që nga ana e tij po bën çmos për të ruajtur qetësinë, duke qëndruar pozitiv dhe optimist për të ardhmen.

26-vjeçari lombard po përpiqet me të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin e tij në zonën e Brescias, më saktë në komunën e Rovatos, në Lodetto, një komunitet i vogël me afërsisht 1.400 banorë. Marti, siç thërritet shkurt nga miqtë dhe shokët e tij, ka menduar të ndihmojë me një mënyrë tepër interesante, duke shpërndarë barna të ndryshme për njerëzit e këtij komuniteti.

Një formë shumë origjinale për të kontribuar në një momet të tillë kaq të vështirë, gjithsesi 26-vjeçari i lindur në Brescia do të japë pra ndihmesën e tij, duke iu dërguar personalisht ilaçe dhe medikamente të ndryshme mjekësore atyre banorëve që e kanë të pamundur për të dalë nga shtëpitë e tyre, për shkak të karantinës.

Çiklisti Italian, që sivjet ka kaluar në radhët e skuadrës së mirënjohur kazake Astana, mendon se në një kohë të tillë sa më pak njerëz të shkojnë në farmaci aq më mirë është, sepse me një mënyrë si kjo, duke shkuar vetë për këtë lloj shërbimi redukton ndjeshëm mundësinë që njerëz të tjerë të komunitetit në Lodetto të infektohen nga virusi COVID-19.

Martinelli shpjegoi se si çiklist profesionist, përveç biçikletës së veçantë, ka gjithashtu këmbë të forta dhe të stërvitura mirë, kështu që 10 kilometra në ditë për të nuk përbëjnë ndonjë gjë të veçantë dhe nuk i shkaktojnë kurrfarë sforcimi në aspektin fizik. Kjo është një mënyrë shumë e mire, sipas tij, për të ndihmuar ata njerëz që krenohen me të dhe nuk rreshtin së përkrahuri gjatë gjithë sezonit, e thënë ndryshe forma më e mirë për t’ua shpërblyer këtë lloj nderi.

Përsa i përket garave të çiklizmit dhe vazhdimit të sezonit, babai i Davides, një ish-çiklist, që aktualisht është në rolin e Drejtorit Sportiv të ekipit Astana, ka deklaruar se nuk mendon se Turi i Francës, aktiviteti më i rëndësishëm sezonal i këtij sporti do të fshihet nga kalendari dhe 65-vjeçari beson se Grande Boucle do të shtyhet në kohë, për t’u zhvilluar diçka më vonë nga ç’ishte programuar në fillim në kalendar.

Giuseppe Martinelli shtoi se ai shpreson që në muajt gusht apo shtator të fillojnë garat anembanë rruzullit, pasi garimi rreth e rrotull globit përbën edhe thelbin dhe shpirtin e këtij sporti. Drejtori Sportiv i ekipit të famshëm nga Kazakistani e përfundoi fjalën e tij duke thënë se ai beson që koronavirusi të zhduket deri në muajin shtator dhe gjithcka të kthehet në normalitet.

(Kosova Sot Online)