Djokovic e kundërshton vaksinën kundër koronavirusit: Pensionohem nëse na detyrojnë ta marrim

  • 20 April 2020 - 10:34
Djokovic e kundërshton vaksinën kundër koronavirusit: Pensionohem nëse na detyrojnë ta marrim

Tenisti serb Novak Djokovic ka thënë se kundërshtimi i tij ndaj vaksinimit mund ta detyrojë të pensionohet nga tenisi profesionist, pas pandemisë koronavirus.

Të gjithë lojtarëve të tenisit u është bërë thirrje të vaksinohen kur të rinis sezoni, edhe pse shkencëtarët kanë paralajmëruar se zbulimi i vaksinës kundër Covid-19 është të paktën një vjet larg.
 

Por një plan i tillë e ka vënë në dilemë numrin një të botës në tenis.

“Personalisht e kundërshtoj vaksinimin dhe nuk dua që dikush të më detyroj ta marr një vaksinë në mënyrë që të jem në gjendje të udhëtoj”, ka thënë Djokovic në një bisedë drejtpërdrejt në Facebook me disa atletë të tjerë serbë të dielën.

“Por nëse vaksina bëhet e detyrueshme, çfarë do të ndodhë? Mua do të më duhet ta marr një vendim. Unë i kam mendimet e mia për këtë çështje dhe se a do të ndryshojnë këto mendime me kohën nuk e di”, shtoi ai.

“Teorikisht, nëse sezoni do të riniste në korrik, gusht apo shtator, edhe pse duket e pamundur, unë e kuptoj se vaksina do të jetë kërkesë menjëherë pasi ne të dalim nga karantina dhe vaksinë nuk ka ende”, theksoi Djokovic.

Ish-numri një në botë në tenisin e vashave, Amelie Mauresmo, tha muajin e kaluar se tenisi nuk duhet të rikthehet nëse lojtarët nuk mund të vaksinohen.   

“Lojtarët e qarkut ndërkombëtar nga të gjitha kombësitë plus menaxhmenti, tifozët dhe njerëzit nga katër qoshet e botës të cilët iu japin jetë këtyre ngjarjeve. Nuk ka vaksinë = nuk ka tenis”, shkroi ajo.

Si çdo sport tjetër, edhe tenisi është pezulluar si pasojë e pandemisë Covid-19. 

(Kosova Sot Online)