Shefi i UEFA-s: Sezoni rinis por pa praninë e tifozëve në stadiume

  • 20 April 2020 - 11:01
Shefi i UEFA-s: Sezoni rinis por pa praninë e tifozëve në stadiume

Ndërkohë që shumë liga po nisin përgatitjet për vazhdimin e sezonit, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka dhënë një intervistë ku është shprehur mjaft optimist për çuarjen deri në fund të këtij sezoni.

“Synimi parësor është të mbrojmë shëndetin e tifozëve, drejtuesve dhe futbollistëve, ndaj mendoj se mund të rifillojmë të luajmë me stadiumet bosh dhe të çojmë sezonin deri në fund. Në këto momente të vështira, zhvillimi i ndeshjeve do të sillte sadopak kënaqësi për njerëzit, ndonëse do t’i shikonin vetëm nëpërmjet televizorit”, tha Ceferin.

Kreu i qeverisë evropiane të futbollit pranoi se të luash pa tifozë është gjithmonë e vështirë, por shtoi se në këto momente është shumë më e rëndësishme të luhet, pasi në të kundërt do të kishte pasoja të rënda ekonomike.

“Nëse nuk arrijmë të mbyllim sezonin, atëherë dëmet ekonomike për klubet do të jenë të paimagjinueshme, megjithatë presim ende lejen e autoriteteve për të zhvilluar ndeshjet pa tifozë. Sigurisht që ky nuk është një opsion shumë i mirë, por është më mirë sesa të ndalemi fare”, deklaroi kreu i UEFA-s.

(Kosova Sot Online)