Zbulohen pikat e protokollit që duhet të ndjekin klubet për nisjen e stërvitjes

  • 20 April 2020 - 12:38
Zbulohen pikat e protokollit që duhet të ndjekin klubet për nisjen e stërvitjes

Pas disa ditësh pune, ekipi mjekësor i Federatës Italiane të Futbollit dorëzoi pranë qeverisë protokollin që duhet të ndjekin klubet për të rinisur stërvitjen, duke qenë tashmë vendimin final në dorë të kabinetit të Giuseppe Contes.

Bëhet fjalë për një plan konkret prej 46 faqesh, të ndarë në dy dokumente të ndryshme, që parashikon me detaje masat e sigurisë që duhet të ndjekin klubet për të shmangur prekjen nga koronavirusi të stafeve përkatëse.

Më poshtë janë edhe disa nga pikat më të rëndësishme të këtij protokolli:

Nuk ka “risk zero” dhe vendos qeveria
Në dokumentin e dorëzuar, thuhet se ndjekja e protokollit me rigorozitet synon të minimizojë rastet e futbollistëve apo anëtarëve të stafeve prej koronavirusit, por në asnjë moment nuk thuhet se kjo do ta shmangë tërësisht infektimin. Për më tepër, vendimi final lihet në dorë të qeverisë italiane, e cila duhet të vlerësojë nëse janë kushtet për rinisjen e stërvitjes apo jo.

Dezinfektimi dhe pastrimi i strukturave
Përpara se të nisë grumbullimi, duhet të pastrohen dhe të dezinfektohen të gjitha strukturat në dispozicion të klubeve për përgatitje, duke nisur nga autobusët dhe mjetet e tjera personale, palestrat, dhomat e zhveshjes e gjithçka tjetër, të cilat do të vijojnë të bëhen në mënyrë periodike.

Pyetësor dhe tampon para rinisjes së stërvitjeve
Të gjithë futbollistët dhe stafet teknikë e ndihmës do t’i nënshtrohen tamponit 96 dhe 72 orë para nisjes së grumbullimit, si dhe do të plotësojnë një pyetësor në lidhje me simptomat e Covid-19. Të gjithë ata që kanë qenë pozitivë, do të quhen të shëruar vetëm pasi të kenë rezultuar negativë në dy teste radhazi, me 24 orë distancë nga njëri-tjetri.

Grumbullime të gjata pa kontakte me jashtë
Në protokoll thuhet se futbollistët dhe stafet do të qëndrojnë në struktura të caktuara në grumbullim për një kohë të gjatë dhe do të shmangin çdo lloj kontakti me të tjerët jashtë, Aty sugjerohet që klubet që nuk kanë ende një vend për grumbullimin e skuadrës, të prenotojnë një hotel, ku të qëndrojnë gjatë gjithë kohës.

Java e parë e stërvitjes
Të gjithë futbollistët do të zbresin në fushën e stërvitjes vetëm pasi të kenë konfirmuar negativitetin ndaj Covid-19 dhe do të qëndrojnë 2 metra larg njëri-tjetrit gjatë gjithë javës së parë. Në palestër duhet të përdorin doreza e maska, ndërsa vetëm në javët në vijim do të rifillojnë gradualisht të rikthehen në normalitet, për të shkuar te ndeshjet e kontrollit, ku kontakti është i domosdoshëm.

Prekja e mundshme e ndonjë futbollisti
Nëse ndonjë futbollist do të rezultojë pozitiv ndërkohë që është në grumbullim, ai do të izolohet menjëherë dhe do të marrë ndihmën mjekësore nëse do të jetë e nevojshme, pa pasur asnjë kontakt me pjesën tjetër të skuadrës.

(Kosova Sot Online)