Trondit Lukaku: 23 lojtarë të Interit u sëmurën me simptoma të koronavirusit në janar

  • 21 April 2020 - 17:51
 Trondit Lukaku: 23 lojtarë të Interit u sëmurën me simptoma të koronavirusit në janar

Romelu Lukaku ka tronditur me deklaratat e tij të fundit, duke zbuluar se 23 prej 25 futbollistëve të Interit ishin të sëmurë me temperaturë të lartë dhe kollë të thatë në janar, por nuk ishin testuar për koronavirus pavarësisht simptomave.

Deri tani, Interi nuk e ka konfirmuar asnjë rast pozitiv me koronavirus, edhe pse është në Lombardi, epiqendrën e pandemisë Covid-19 në Itali.

Tani, sulmues belg i zikaltërve ka sugjeruar se në klub kishte raste shumë të dyshimta, duke sugjeruar se lojtarët mund të kishin prekur nga kjo sëmundje pas ndeshjes kundër Cagliarit në dhjetor.

“E patëm një javë pushim në dhjetor dhe betohem se pasi iu kthyem punës, 23 prej 25 lojtarëve ishin të sëmurë. Nuk bëj shaka. Ne luajtëm kundër Cagliarit të Radja Nainggolanit dhe pas 25 minutave lojë, njëri prej mbrojtësve tanë iu desh të largohej nga fusha. Ai nuk mundi të vazhdonte sepse për pak sa nuk i ra të fikët”, zbuloi Lukaku gjatë një bisedë drejtpërdrejt në Instagram.

Lukaku iu referua Milan Skriniarit, i cili e braktisi fushën pas vetëm 17 minutave lojë në atë ndeshje të zhvilluar më 26 janar. Njoftimi zyrtar i Interit atë kohë ishte se qendërmbrojtësi ndihej i trullosur sepse nuk ishte riaftësuar plotësisht nga gripi.

Rasti i parë zyrtar me koronavirus në Itali ndodhi më 21 shkurt, prandaj lojtarët e Interit nuk ishin testuar.

“Të gjithë po kolliteshin dhe kishin temperaturë. Kur ngrohesha ndieja shumë më shumë të nxehtë se zakonisht. Kisha vite që nuk kisha temperaturë”, shtoi ai.

“Pas ndeshjes, patëm një darkë të planifikuar me mysafirë nga Puma, por unë i falënderova ata dhe ika drejt e në shtrat. Neve nuk na u bënë testet për Covid-19 në atë kohë, prandaj nuk do ta dimë kurrë sigurt nëse kishim koronavirus”, theksoi Lukaku.

megjithatë, ata mund ta kuptojnë, sepse protokolli i Serie A për lojtarët që rikthehen në stërvitje përfshirë edhe testet e gjakut për të kontrolluar nëse kanë antitrupa.

Nëse kanë antitrupa, atëherë kjo nënkupton se ata kanë pasur koronavirus por janë riaftësuar plotësisht.

(Kosova Sot Online)