Ish-portieri i Real Madridit: Messi është mashtrues dhe provokues, Ronaldo arrogant

  • 22 April 2020 - 20:39
 Ish-portieri i Real Madridit: Messi është mashtrues dhe provokues, Ronaldo arrogant

Ish-portieri i Real Madridit, Jerzy Dudek, e ka goditur Lionel Messin me komente të ashpra, duke e quajtur mashtrues dhe provokues yllin e Barcelonës dhe Argjentinës. Ai s’e kurseu as ish-bashkëlojtarin e vet, Cristiano Ronaldon, duke e quajtur arrogant.

Dudek i kaloi katër vjet në Madrid si zëvendës i Iker Casillasit por i zhvilloi vetëm 12 ndeshje gjatë kësaj periudhe.

Në autobiografinë e tij, Dudek nuk ishte kritik vetëm ndaj Messit, por ndaj Pep Guardiolës dhe tërë skuadrës së Barcelonës.

“Ai ishte mashtrues dhe provokues, njëlloj sic ishte Barcelona dhe Pep Guardiola”, thuhet për Messin në autobiografinë e Dudek.

“Ata ishin shumë të gatshëm për të provokuar dhe ishin në gjendje ta bënin këtë në mënyrë të përkryer. Kjo e lëndonte shumë Jose Mourinho dhe tërë ekipin”, shkruhet në autobiografinë e Dudek.

“E dëgjova Messin duke iu thënë fjalë shumë të pasjellshme Pepes dhe Sergio Ramosit; gjëra që nuk do të mundë të imagjinosh se vinin nga një person i qetë dhe i mirë”.

As bashkëlojtari i tij Cristiano Ronaldo nuk i iku kritikave të mëdha të Dudek.

“Cristiano Ronaldo është arrogant, por prapa skenës është djalosh normal. Më shumë është sesi njerëzit e shohin atë, pak a shumë”, thotë Dudek për tani sulmuesin e Juventusit.

“Ai është si Rauli fitues dhe garues i madh. Të dy më parë do të donin që ekipi i tyre të fitojë 2:1 me golat e tyre, sesa 5:0 me golat e lojtarëve të tjerë”.

(Kosova Sot Online)