Musa reagon pasi u tha se është infektuar me Covid-19

  • 23 April 2020 - 08:14
Musa reagon pasi u tha se është infektuar me Covid-19

Sulmuesi nigerian Ahmed Musa e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjete sociale për ta mohuar lajmin se ai është diagnostikuar me koronavirus.

27-vjeçari së fundi u kthye në vendlindjen e tij nga Arabia Saudite, ku luan për klubin Al-Nassr.

Sapo arriti në Nigeri, Musa e konfirmoi se ai do të vetëizolohej, përderisa disa media e morën këtë si shenjë se ai kishte dalë pozitiv në testin për Covid-19.

Megjithatë, Musa reagoi në rrjetet sociale për ta mohuar këtë lajm dhe bëri të ditur se ai dhe familja e tij janë mirë dhe paralajmëroi njerëzit që po postojnë lajme të rreme lidhur me virusin.

“Më ka rënë në sy që disa individë të caktuar kanë vendosur të postojnë lajme të rreme që unë kinse kam dalë pozitiv në testin për Covid-19”, shkroi Musa në Instagram.

“Kjo është një pandemi që po ua merr njerëzve jetën, kështu që është dëshpëruese që disa njerëz duan ta përdorin këtë për të fituar më shumë ndjekës apo shikime në faqen e tyre përmes përhapjes së lajmeve të rreme”.

“Familja ime dhe unë erdhëm nga Arabia Saudite dhe vendosëm t’i ndjekim rregullat e qeverisë për vetëizolim për 14 ditë, por jo pse dikush prej neve e kishte virusin. Ne jemi mirë dhe nuk kemi dalë pozitivë në testin për virusin”:.

“Ju lutem mos bini për mesazhet dashakeqe që po qarkullojnë për mua dhe familjen time. Qëndroni të sigurt, mbajeni distancën sociale”.

(Kosova Sot Online )