Adebayor s’dhuron ndihma për vendlindjen: S’e solla unë koronavirusin

  • 23 April 2020 - 11:05
Adebayor s’dhuron ndihma për vendlindjen: S’e solla unë koronavirusin

Ish-sulmuesi i Premierligës, Emannuel Adebayor, e ka sqaruar vendimin e tij për të mos dhuruar ndihma për vendlindjen e tij, Togo, mes krizës globale të shkaktuar nga virusi Covid-19, duke thënë se nuk do të dhurojë para vetëm pse të tjerët ia kërkojnë një gjë të tillë.

Futbolli kudo në botë është pezulluar shkaku i përhapjes së shpejtë të virusit Covid-19, përderisa shumë shtete kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe autoritetet kanë tentuar ta kontrollojnë përhapjen e virusit dhe t’i trajtojnë ata që veçse janë infektuar.

Pasi që lojtarët tani e kanë të pamundur të luajnë nëpër ndeshje dhe të shkojnë nëpër seanca stërvitore, shumë futbollistë e kanë kaluar kohën e tyre duke gjetur ndihma se si të kontribuojnë në luftën kundër këtij virusi.

Shumë futbollistë kanë dhuruar para për të ndihmuar në gjetjen e një vaksine kundër këtij virusi, përderisa të tjera kanë blerë gjëra esenciale për të rrezikuarit nga virusi dhe u kanë dhuruar para mjekëve në vijën e frontit.


Veprime të tilla të futbollistëve kanë bërë që e njëjta gjë të kërkohet edhe nga Abebayori, i cili ka grumbulluar pasuri të konsiderueshme falë sukseseve të tij në Arsenal, Manchester City e Tottenham.

“Unë gjithmonë veproj sipas dëshirave të zemrës time dhe jo sipas fjalëve të të tjerëve. Më vjen keq që njerëzit më krahasojnë me Samuel Eto’on apo Didier Drogban duke më pyetur se pse s’kam dhuruar para, sikur ta kisha sjellë unë koronavirusin në Togo”, ka thënë Adebayori, që tani luan në Paraguai për klubin Olimpia.

“Unë s’jam si asnjëri nga ata, unë jam unë, Sheyi Emmanuel Adebayor. Një këshillë e vogël për djemtë sa u përket donacioneve, unë s’do ta bëjë këtë. Gjithçka është e qartë dhe shumë e thjeshtë. Faleminderit dhe ditën e mirë”.

(Kosova Sot Online)