Portieri kosovar i bllokuar në Ukrainë: Më mungon familja

  • 24 April 2020 - 13:48
Portieri kosovar i bllokuar në Ukrainë: Më mungon familja

Pandemia e koronvirusit ka bllokuar gjithë botën e futbollit, duke izoluar edhe shumë futbollistë në vendet ku luajnë.

I bllokuar ka mbetur edhe portieri kosovar, Betim Halimi që luan në Ukrainë.

Anëtari i Olimpik Donetsk, ka treguar  se si ka mbetur në Ukrainë së bashku me disa bashkëlojtarë që vijnë nga shtetet e ndryshme.

“Jam në Ukrainë dhe për momentin situata është mjaft e keqe pasi numri i të infektuarve është mjaft i madh pasi tashmë ka shkuar mbi 7200 të tillë”, tha fillimisht Halimi.

Për një rinisje të mundshme të kampionatit, portieri kosovar sheh situatën si mjaft të vështirë, pasi siç thotë ai numri i të infektuarve po rritet me shifra të mëdha.

“Nesër përfundon pjesa e parë e karantinës, ndërsa është shtyer edhe për dy javë të tjera. Rinisja e kampionatit do të varet krejtësisht nga numri i të infektuarve, pasi shpresojmë që numri mos të rritet gjatë kësaj kohe, por për momentin nuk mendohet për një gjë të tillë pasi numri po rritet mjaft shpejt i të infektuarve me mbi 200 persona në ditë”, ka thënë tutje Halimi.

(Kosova Sot Online)