Chelsea lajmëron se lojtarëve s’do t’u ulen pagat

  • 25 April 2020 - 18:40
Chelsea lajmëron se lojtarëve s’do t’u ulen pagat

Chelsea e ka lëshuar një deklaratë për media për të konfirmuar se lojtarëve të tyre nuk do t’u ulen pagat dhe se asnjë punëtor me kontratë nuk do të suspendohet nga puna, masa këto që i kanë ndërmarrë shumë klube të tjera për t’u siguruar që t’u mbijetojnë dëmeve financiare që po i sjell koronavirusi.

Klubet e futbollit në Angli – veçanërisht ato jashtë Premierligës – janë duke përjetuar humbje të mëdha financiare për shkak të krizës së sjellë nga koronavirusi, përderisa e kanë pasur të pamundur të kenë të ardhura në këtë kohë.

Kjo situatë ka bërë që shumë klube t’u kërkojnë lojtarëve ta sakrifikojnë një pjesë të pagës së tyre për t’u ndihmuar klubeve, si Arsenali që së fundi arriti marrëveshje me lojtarët për t’ua ulur pagat për 12.5 për qind.

Mesut Ozili është kritikuar shumë që nga atëherë pasi që thuhet se është njëri ndër tre lojtarët që s’e kanë pranuar këtë ofertë nga Arsenali. Mirëpo, Chelsea së fundi deklaroi se asnjë lojtarit të ekipit të parë s’do t’i kërkohej të bëjë sakrificë të tillë.

“Përfaqësuesit e bordit të Chelseat së fundi kanë mbajtur bisedime të thella lidhur me ekipin e parë të djemve për të diskutuar se si mund të kontribuojnë ata në klub gjatë krizës së koronavirusit”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

“Ne jemi mirënjohës ndaj skuadrës që kanë luajtur një rol të rëndësishëm te klubi përmes aktiviteteve për komunitetit dhe kauzave të bamirësisë përmes iniciativave si Players Together”.

“Në këtë momente, ekipi i parë i djemve nuk do të kontribuojë drejtpërdrejt në klub financiarisht dhe në vend të kësaj bordi u ka kërkuar lojtarëve të gjejnë mënyra se si mund të ndihmojnë ata vetë përmes kauzave të bamirësisë”. 

(Kosova Sot Online)