Burgoset agjenti, mashtroi gjatë transferimit të Casillasit në Porto

  • 25 April 2020 - 18:45
Burgoset agjenti, mashtroi gjatë transferimit të Casillasit në Porto

Agjenti që ia siguroi Iker Casillasit transferimin nga Real Madridi në Porti në vitin 2015 është dënuar me katër vjet burg për mashtrim. Vendimin e mori Gjykata e Drejtësisë e Ishujve Balearike.

Santos Marquez Gonzalez e kishte apeluar këtë dënim fillimisht, pasi ishte dënuar nga Gjykata Provinciale e Palmas në korrik të vitit 2019. Megjithatë, tani apelimi iu është refuzuar dhe është konfirmuar vendimi për dënimin e tij.

Marquez u shpall fajtor mbi akuzën se e kishte mashtruar ish-partnerin e tij, Jorge Ignacio Sr., duke e bindur atë se Casillas dëshironte të transferohej te një skuadër në SHBA dhe se pjesa e tyre e përfitimit në këtë marrëveshje do të transferohej në llogarinë e Mallorca Viva SL, agjencisë ku të dy burrat kishin qenë partnerë.

Kompania ia pagoi Marquezit 9,100 euro për pjesën e tij në negociata, mirëpo ai nuk bëri asnjë lloj transferimi të parave në llogarinë e agjencisë pasi u arrit marrëveshje për transferimin e Casillasit në Porto.

Në vend të kësaj, paratë ishin transferuar në VS Player SL, një kompani e re të cilën e kishte themeluar Marquez dhe në të cilën ai ishte pronari me shumicën e aksioneve. Ish-bashkëpunëtorët e tij nuk ishin të vetëdijshëm për këtë pagesë.

Kompania e tij e re i mori 256 mijë euro për shërbimet e Marquez gjatë transferimit, ndërsa pasi u mor vesh mashtrimi i tij, VS Player SL u pajtua t’ia paguajë Mallorca Visa SL më shumë se 244 mijë euro si dëmshpërblim, para se të fillonte padia në gjyq.

Megjithatë, tani Marquez është shpallur fajtor për akuzën për mashtrim dhe është dënuar me katër vjet burg dhe gjobë prej 2,166 eurosh. 

(Kosova Sot Online)