Liga polake do të rinisë në maj, qeveria aprovon planin

  • 25 April 2020 - 19:46
Liga polake do të rinisë në maj, qeveria aprovon planin

Liga elitare e futbollit në Poloni, Ekstraklasa, pritet të rinisë në fund të majit, pasi që një plan i bërë nga liga dhe Federata e Futbollit e Polonisë është aprovuar nga qeveria polake.

Martin Animucki, presidenti i bordit të Ekstraklasa, thotë se ndeshjet do të rinisin nga 29 maji, nëse arrihet të respektohet plani i aprovuar plotësisht.

Hapi i parë i këtij procesi veçse është implementuar. Të hënën, më 20 prill, të gjithë lojtarët dhe stafi trajnues i 16 ekipeve të Ekstraklasa, u vendosën në vetëizolim në shtëpi dhe kjo do të vazhdojë për dy javë, përderisa të gjithë klubet do të dërgojnë raporte të detajuara shëndetësore për të gjithë.

Hapi i dytë pritet të fillojë më 4 maj, kur është planifikuar të rihapem kampet stërvitore. Grupe nga katër deri në gjashtë lojtarë do të fillojnë të stërviten së bashku nga kjo datë.

Hapi i tretë në këtë proces parashikon që të hapen klasat dhe ambientet e shkollave të futbollit, pasi që klubet shpresojnë se do të mundë të organizojnë stërvitje individuale me lojtarët e tyre nëpër stadiumet e tyre, që shihet si ambient më pak i rrezikshëm sesa parqet e hapura.

Hapi i katërt është që të rihapen ambientet e klubit për fitnes dhe pishina, ndërsa skuadrat pastaj do të mundë të stërviteshin të plota, deri në 50 njerëz në të njëjtën kohë.

Hapi i fundit i këtij procesi është rinisja e kampionatit. Por, përderisa në plan nuk është caktuar një datë përfundimtare, presidenti i ligës ka sugjeruar se ndeshjet mund të rinisin më 29 maj. 

(Kosova Sot Online)