“Solskjaer mund t’ia fitojë Man Unitedit Premierligën”

  • 25 April 2020 - 19:47
“Solskjaer mund t’ia fitojë Man Unitedit Premierligën”

Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Kleberson, beson se trajneri Ole Gunnar Solskjaer është personi i duhur për t’i çuar Djajtë e Kuq drejt trofeut të parë të Premierligës që nga viti 2013.

Manchester Unitedi nuk është shpallur kampion i Anglisë që nga sezoni i fundit i Sir Alex Fergusonit si trajner, para shtatë vjetëve, përderisa Jose Mourinho i shkoi më së afërti këtij synimi gjatë sezonit 2017/18 kur përfundoi në vend të dytë, pas Manchester City.

Klebersoni ishte bashkëlojtar i Solskjaerit në Old Trafford gjatë dy vjetëve të tij me Manchester Unitedin. Tani, fituesi i Kupës së Botës 2002 beson se trajneri norvegjez është i duhuri për ta kthyer lavdinë e ditëve të Fergusonit në “Teatrin e Ëndrrave”.

“Kur unë e mora vesh që ai u bë trajner i Manchester Unitedit, isha shumë i lumtur për të. Ai ka një personalitet shumë të mirë, është shumë pozitiv dhe ka vetëbesim dhe e di se çfarë duhet të bëjë”, ka thënë Kleberson.

“Unë e di se ai ka marrë shumë mësime për të qenë trajner nga Alex Fergusoni dhe e di se është shumë i mirë në punën që e bën”.

“Shumëçka ka ndryshuar në Manchester United gjatë kohës së fundit. Ata po kërkojnë për lojtarë më të rinj dhe ky është një ndryshim i madh. Jam i sigurt se ai mund ta bëjë Manchester Unitedin një skuadër elitare sërish dhe ta fitojë Premierligën”. 

(Kosova Sot Online)