Tare i irrituar me vendimin e Qeverisë së Italisë, kritikon Interin dhe Juventusin

  • 27 April 2020 - 19:07
 Tare i irrituar me vendimin e Qeverisë së Italisë, kritikon Interin dhe Juventusin

Lazio është skuadra që ka kërkuar me ngulm rifillimin e sezonit, duke qenë se bardhekaltrit janë edhe pretendentë për titullin kampion këtë vit, por të ndikuar edhe nga fakti që në pjesën qendrore e jugore të Italisë, efekti i Covid-19 nuk është ndjerë shumë.

Megjithatë duke qenë se ende nuk ka një vendim për datën e rinisjes së stërvitjes, klubi kryeqytetas ka reaguar zyrtarisht ditën e sotme nëpërmjet Drejtorit Sportiv Igli Tare, i cili akuzoi edhe Ministrin e Sporteve se po vepron në favor të atyre që nuk duan rifillimin e kampionatit.

Dje u mor vendimi nga Qeveria e Italisë që me 4 maj lojtarët mund të stërviten të veçuar, individualisht, por me 18 maj mund ta bëjnë në grupe.

“Kemi mbetur të gjithë të befasuar, pasi kemi respektuar çdo vendim të qeverisë dhe prisnim që 4 maji të ishte data e rifillimit të stërvitjes. Kam dëgjuar edhe fjalët e ministrit Spadafora, të cilat më duken kontradiktore, sepse nga një anë thotë se mendon për shëndetin e të gjithëve, ndërsa nga ana tjetër lejojnë njerëzit të stërviten në park. Nuk mund të jetë më i sigurt një park publik, sesa ambientet e klubeve që do të monitorohen sipas protokollit të sigurisë”, tha Tare.

Më pas ish sulmuesi i Kombëtares Shqiptare lëshoi kritika edhe për rivalët e Lazios në kampionatin Italian, Juventusin dhe Interin, të cilat sipas Tares nuk po marrin një pozicion të qartë në këtë situatë.

“E dimë që është një situatë e vështirë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por nuk po kërkojmë rikthimin e njerëzve në stadium. Thjesht duam të sakrifikojmë sadopak për të mbyllur kampionatin sipas rregullave. Më vjen keq edhe për faktin se klube si Interi e Juventusi nuk po marrin një pozicion të qartë në këtë situatë”, tha drejtori sportiv i Lazios.

(Kosova Sot Online)