Zbulohet se ku duhet t’i investojë FFK 4.3 milionë euro të ardhura nga UEFA

  • 28 April 2020 - 12:13
Zbulohet se ku duhet t’i investojë FFK 4.3 milionë euro të ardhura nga UEFA

Në Kosovë paratë e ardhura në vazhdimësi nga UEFA dhe FIFA thuajse po bëhen “mollë sherri” në mes FFK-së dhe klubeve, të cilat po përplasen keq rreth papajtueshmërive se si duhet të ndahen dhe ku duhet të shkojnë ato para.

Pas FIFA-s, e cila i ndau 462 mijë euro për Kosovën sikurse për të gjitha anëtaret tjera, edhe UEFA e ka hapur kuletën për shtetet anëtare të saj, shkruan Gazeta Express.

Pikërisht në këtë kohë pandemie shtëpia e futbollit evropian ka vendosur ta përkrah futbollin kosovar me 4.3 milionë euro.

Shuma të njëjta ka ndarë për të gjitha shtetet anëtare me shpresën që ato para t’u  ndihmojnë për t’u përballur me vështirësitë e krijuara nga COVID-19, i cili ka shkaktuar krizë financiare në futbollin botëror dhe e ka paralizuar atë, duke e ndërprerë thuajse çdo aktivitet dhe duke çrregulluar çdo kalendar garues.

Derisa FIFA njoftoi se 462 mijë eurot e saj Federata e Futbollit të Kosovës mund t’i shfrytëzojë për nevojat e veta të brendshme, UEFA ka vendosur që kësaj here t’ia mundësojë FFK-së dhe secilës federatë tjetër që shumat prej 4.3 milionë eurosh t’i shpenzojnë sipas prioriteteve të tyre në këtë kohë pandemie.

Kjo është bërë e ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ndërsa nga Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka pasur asnjë njoftim.

“Buxheti i Komitetit HatTrick, i cili nuk ka pësuar ndryshime apo rritje pas shpalljes së Pandemisë, është miratuar më parë dhe ky vendim i fundit i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s i jep fleksibilitet federatave në përdorimin e këtyre fondeve për ti orientuar sipas prioriteteve të veta në një moment të paprecedent për futbollin në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e FSHF-së, e cila tregon se pse UEFA ndanë shuma të tilla parash për shtetet anëtare. “Fondet e Komitetit HatTrick i shpërndahen federatave anëtare të UEFA-s për të mbuluar kostot operative dhe për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit vendas nëpërmjet projekteve infrastrukturore”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Ceferin: Paratë shfrytëzoni për ta ngritur futbollin e goditur nga COVID-19

Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin shpreson që këto shuma parash t’i ndihmojnë rimëkëmbjes së futbollit të shtrirë për toke nga koronavirusi.

“Futbolli po përballet me një ndryshim të paprecedentë i cili ka ardhur nga kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19. UEFA dëshiron t’i ndihmojë anëtarët e saj që të përgjigjen në mënyra të cilat janë të përshtatshme në rrethanat e tyre specifike. Si rezultat, ne kemi rënë dakord që deri në 4.3 milionë euro për secilën federatë, për pjesën e mbetur të këtij edicioni, si edhe për sezonin e ardhshëm”, ka thënë ai.

“Fonde të cilat mund të përdoren nga anëtarët tanë si ta shohin të përshtatshme në rimëkëmbjen e situatës aktuale të futbollit. Unë besoj se ky është një vendim i përgjegjshëm për të ndihmuar aq sa ne kemi mundësi. Unë jam krenar për bashkimin që futbolli po tregon përgjatë kësaj krize. Pa dyshim, futbolli do të jetë në zemër të jetës kur të rikthehemi në normalitet. Kur koha të vijë, futbolli duhet të jetë gati”, ka përfunduar Ceferin.

Ndërkohë, në Kosovë paratë e ardhura në vazhdimësi nga UEFA dhe FIFA thuajse po bëhen “mollë sherri” në mes FFK-së dhe klubeve, të cilat po përplasen keq rreth papajtueshmërive se si duhet të ndahen dhe ku duhet të shkojnë ato para.

(Kosova Sot Online)