Zhegrova, e ka pranuar se Chelsea dhe Wolves janë interesuar për të

  • 28 April 2020 - 12:37
Zhegrova, e ka pranuar se Chelsea dhe Wolves janë interesuar për të

Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, e ka pranuar se Chelsea dhe Wolves janë interesuar për të, vetëm pak pasi ky lajm u raportua nga mediumet britanike.

Gjiganti mediatik “Daily Star” raportoi të hënën se Chelsea dhe Wolverhamptoni kanë zgjuar interesim për yllin kosovar, i cili po e kalon këtë vit në formë huazimi tek Baseli.

21-vjeçari është duke e kaluar këtë sezon në formë huazimi në Basel, ndërsa gjatë verës pritet të rikthehet tek Genku pasi klubi zviceran nuk dëshiron ta shfrytëzojë mundësinë e blerjes së kartonit të tij.

Ndërkohë, mediumi britanik shkruan se të dyja klubet e Premierligës i kanë sytë kah përfaqësuesi kosovar. Madje, ato i kishin dërguar skautët e tyre për ta përcjellë Zhegrovën, por që vëzhgimi i tij u ndal shkaku i ndërprerjes së futbollit si rezultat i pandemisë koronavirus.

Lidhur me këtë ka reaguar vetë 21-vjeçari, i cili ka konfirmuar interesimin e dy skuadrave në fjalë.

“Ka shumë klube që janë interesuar për shërbimet e mija. Po mund të konfirmoj se edhe Chelsea dhe Wolverhampton janë në mesin e klubeve”, deklaroi Zhegrova.

Ndërkohë sa i përket një interesimi të Werder Bremen si pasues të Milot Rashicës, Zhegrova e ka hedhur poshtë.

“Jo nuk ka diçka të vërtetë sa i përket Werder Bremenit”, tha ylli i Kosovës.

Zhegrova i ka realizuar dy gola dhe i ka dhuruar katër asistime në 27 ndeshje të zhvilluara me Baselin këtë sezon.

(Kosova Sot Online)