Stadiumi “Air Albania” nominohet për çmimin prestigjoz të arkitekturës

  • 28 April 2020 - 16:47
 Stadiumi “Air Albania” nominohet për çmimin prestigjoz të arkitekturës

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar sot nëpërmjet faqes së saj zyrtare se stadium “Air Albania” është nominuar për të marrë çmimin “BigSEE Architecture Award 2020”, i cili do të jepet në Festivalin e Arkitekturës, në tetor të këtij viti.

“Air Albania Stadium, investimi më i madh në historinë e sportit shqiptar, vazhdon të prodhojë lajm edhe pas inaugurimit të tij në 17 Nëntor 2019, në ndeshjen kundër Francës, kampiones së botës.

Ky investim i Federatës Shqiptare të Futbollit është përzgjedhur për të marrë çmimin BigSEE Architecture Award 2020 dhe për më tepër është nominuar edhe si projekti më i mirë (Grand Prix) në kategorinë publike.

Fituesit e BigSEE Architecture Award do të vlerësohen në festivalin e madh të arkitekturës që do të zhvillohet më datë 16 Tetor 2020 në Qytetin e Dizajnit në Lubjanë të Sllovenisë.

Në këtë festival të gjithë projektet do të ekspozohen për të pranishmit nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.

Qëllimi i BigSEE Architecture është për të forcuar suksesin dhe atraktivitetin e Europës Juglindore nëpërmjet kërkimit, vlerësimit dhe promovimit të mrekullisë arkitektonike që është në këto vende.”, shkruhet në njoftimin e FSHF.

(Kosova sot Online)