Mbështetet vendimi i Francës për ta mbyllur sezonin e Ligue 1

  • 29 April 2020 - 08:33
Mbështetet vendimi i Francës për ta mbyllur sezonin e Ligue 1

Mbrojtësi i Strasbourgut, Lamine Kone, ka thënë se ai e mbështet vendimin e qeverisë franceze për ta përfunduar sezonin 2019/20 të ligave të futbollit, duke thënë se pandemia e koronavirusit nuk kishte lënë opsion tjetër.

Sezoni i futbollit në Francë u vendos të përfundohet para kohe të martën, pasi qeveria e vendit njoftoi se nuk do të lejohet mbajtja e asnjë ngjarjeje të madhe sportive të paktën deri në muajin shtator, qoftë edhe prapa dyerve të mbyllura.

Kjo nënkupton se liga elitare franceze në futboll nuk do të mundë ta kompletojë sezonin e mbetur në gjysmë, ndërsa nuk do të zhvillohet as ndeshja finale në Kupën e Francës mes St.Etienne dhe Paris Saint-Germain.

Në një njoftim për media, kryeministri i Francës, Edouard Philippe, theksoi se asnjë sport nuk mund të zhvillohet në vend deri në shtator.

“Sezoni 2019/20 i sporteve profesioniste, përfshirë futbollin, nuk mund të rifillojë. Sportet e mëdha nuk mund të zhvillohet para muajit shtator”, tha Philippe.

Kështu Ligue 1 u bë liga e parë nga pesë ligat kryesore evropiane që e anulon sezonin shkaku i pandemisë koronavirus. Kone insiston se kryeministri e mori vendimin e vetëm që e kishte si opsion pasi koronavirus po vazhdon të shkaktojë dëme në Francë.

“Ka kuptim sepse ne jemi në krizë dhe, me këtë pandemi, është më mirë kështu. Por, për garuesit është e vështirë. Unë do të doja t’i luanim ndeshjet, t’i shihnim sërish tifozët. Për fat të keq, për shëndetin e të gjithëve, s’kishte opsion tjetër”, ka thënë Kone.

“Ne duhet t’i besojmë asaj që kryeministri e deklaroi. Nëse duhet të presim deri në gusht ose shtator, do të jetë shumë gjatë. Por, ky vendim nuk u mor për asgjë”.

Paris Saint-Germain është lider i ligës me 12 pikë më shumë se vendi i dytë, Marseille, me 11 ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar. Në fund të tabelës gjendet Toulouse, me 13 pikë larg vendit që siguron qëndrimin në ligë. Edhe Amiens dhe Nimes gjenden në zonën e rënies nga liga.

Ende nuk është marrë ndonjë vendim për shpallej e kampionit, apo promovimit dhe rënies nga liga.

Në Francë shkruajnë se për këtë do të vendoset muajin e ardhshëm, në një takim të Federatës së Futbollit të Francës.

(Kosova Sot Online )