Lautaro paralajmërohet: Të duket lehtë të luash me Messin, por s’është

  • 29 April 2020 - 08:58
Lautaro paralajmërohet: Të duket lehtë të luash me Messin, por s’është

Ish-sulmuesi argjentinas, Javier Saviola, e ka paralajmëruar sulmuesin e Interit, Lautaro Martinezit për krijimin e një partneriteti me lionel Messi, duke thënë se atij mund t’i duket e lehtë të luajë me një lojtar aq legjendar, por nuk është e tillë.

Qendërsulmuesi 22-vjeçar është bërë yll në Serie A gjatë këtij sezoni, duke i shënuar 16 gola në të gjitha garat, pasi kishte dështuar të arrinte numër dyshifror të golave të shënuara gjatë sezonit të kaluar.

Zhvillimi i shpejtë i Lautaros ka bërë që ai ta tërheqë vëmendjen e shumë klubeve të mëdha të Evropës. Mediat e mëdha evropiane të sportit kanë raportuar se 22-vjeçari dëshiron t’i bashkohet klubit katalonas, pasi që dëshiron të luajë përkrah bashkëkombësit të tij Lionel Messi edhe në nivelin e klubeve. E këto spekulime i ka nxitur edhe më shumë agjenti i tij.

“Sinqerisht, për mua, ai është një lojtar që mund t’i kryejë shumë punë Barcelonës. Ne e dimë se si është të jesh përkrah Suarezit, Messsit dhe këtyre lojtarëve të mëdhenj. Nuk po them se është e lehtë të luash me ta”, ka thënë Saviola.

“Dybala më ka thënë që ishte e vështirë të luante me Messin dhe unë e përkraha atë sepse ty të kërkohet të jesh në të njëjtin ritëm me të dhe kërkohet një nivel i lartë i përqendrimit. Duket e lehtë, por s’është”.

Martinez ka klauzolë për shkëputjen e kontratës me klubin prej 111 milionë eurosh. Kjo klauzolë është e vlefshme për të gjitha klubet jashtë Italisë, megjithatë Barcelona s’është e gatshme ta paguajë një shumë të tillë, për shkak se do të binte ndesh me rregullat financiare të UEFA-s.

Gazeta italiane Tuttosport raporton se klubi i La Ligas do t’ia ofrojë Interin disa lojtarë të vet për ta zbritur çmimin për Martinezin. Barcelona dëshiron t’i përfshijë Nelson Semedo, Arthur, Arturo Vidal, Carles Alena dhe Jean-Clair Todibo në marrëveshje.

(Kosova Sot Online )