Presidenti i La Ligës kritikon vendimin e Ligue 1: Futbolli s’është më i rrezikshëm sesa puna në fabrikë

  • 29 April 2020 - 09:15
Presidenti i La Ligës kritikon vendimin e Ligue 1: Futbolli s’është më i rrezikshëm sesa puna në fabrikë

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e ka kritikuar sezonin e qeverisë franceze për ta përfunduar para kohe sezonin e Ligue 1, teksa i krahasoi ndeshjet e zhvilluara pa tifozë me punën në fabrika dhe peshkimin.

Sezoni i futbollit në Francë u vendos të përfundohet para kohe të martën, pasi qeveria e vendit njoftoi se nuk do të lejohet mbajtja e asnjë ngjarjeje të madhe sportive të paktën deri në muajin shtator, qoftë edhe prapa dyerve të mbyllura.

Kjo nënkupton se liga elitare franceze në futboll nuk do të mundë ta kompletojë sezonin e mbetur në gjysmë, ndërsa nuk do të zhvillohet as ndeshja finale në Kupën e Francës mes St.Etienne dhe Paris Saint-Germain.

Në një njoftim për media, kryeministri i Francës, Edouard Philippe, theksoi se asnjë sport nuk mund të zhvillohet në vend deri në shtator. Kështu Ligue 1 u bë liga e parë nga pesë ligat kryesore evropiane që e anulon sezonin shkaku i pandemisë koronavirus.

Mirëpo, Tebas nuk pajtohet aspak me këtë vendim.

“Nuk e kuptoj pse do të ishte më me rrezik të luhen ndeshje prapa dyerve të mbyllura, me të gjitha masat parandaluese të ndërmarra, sesa të punohet në fabrika, të jesh në një barkë peshkimi në det, etj”, tha Tebas.

“Nëse sektore të rëndësishme të ekonomisë nuk mund të rinisin, në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar, atëherë ato rrezikojnë të zhduken. Kjo mund të ndodhë edhe me futbollin profesionist”.

“Në vende të tjera tashmë kanë filluar stërvitjet, ky është shembulli që duhet ta ndjekim. Në Spanjë, futbolli është i rëndësishëm për ekonominë. Ne jemi të fokusuar në rinisjen në një mënyrë të përgjegjshme sa më shpejt të jetë e mundur”.

Paris Saint-Germain është lider i ligës me 12 pikë më shumë se vendi i dytë, Marseille, me 11 ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar. Në fund të tabelës gjendet Toulouse, me 13 pikë larg vendit që siguron qëndrimin në ligë. Edhe Amiens dhe Nimes gjenden në zonën e rënies nga liga.

Ende nuk është marrë ndonjë vendim për shpallej e kampionit, apo promovimit dhe rënies nga liga.

Në Francë shkruajnë se për këtë do të vendoset muajin e ardhshëm, në një takim të Federatës së Futbollit të Francës.

(Kosova Sot Online )