PSG-ja, e gatshme t’i luajë të gjitha ndeshjet e Champions jashtë Francës

  • 29 April 2020 - 10:05
PSG-ja, e gatshme t’i luajë të gjitha ndeshjet e Champions jashtë Francës

Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, ka premtuar se skuadra e tij do të vazhdojë të garojë në Ligën e Kampionëve, përkundër që futbolli është suspenduar në Francë deri në shtator.

Klubi francez është i gatshëm t’i luajë ndeshjet si vendas në vende të tjera, tha Al-Khelaifi, përderisa PSG-ja ende po pret për ta mësuar se me kë do të përballet në çerekfinale të kësaj gare.

Fitorja kundër Borussia Dortmundit në 1/8 e finales bëri që skuadra e Thomas Tuchel të kalojë në çerekfinale, mirëpo pandemia e koronavirusit i ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive që nga atëherë.

Kryeministri francez Edouard Philippe bëri të ditur të martën se në Francë nuk do të luhej futboll profesionist deri në shtator, që do të thotë se sezoni i Ligue 1 është mbyllur.

“Ne e respektojmë vendimin e qeverisë franceze. Në pajtim me UEFA-s, ne synojmë të marrim pjesë në fazën finale të Ligës së Kampionëve në vendet dhe datat ku do të organizohet”, ka thënë Al-Khelaifi.

“Nëse nuk është e mundur të luajmë në Francë, ne do ta t’i luajmë të gjitha ndeshjet tona jashtë vendit dhe do të sigurohemi që t’ua ofrojmë kushtet më të mirë të sigurisë lojtarëve dhe stafit tonë”.

(Kosova Sot Online)