Presidenti i Lazios kritikon qeverinë: Kjo është absurde

  • 29 April 2020 - 12:55
Presidenti i Lazios kritikon qeverinë: Kjo është absurde

Ditët e fundit, polemikat rreth rifillimit të mundshëm të kampionatit janë bërë gjithnjë e më të ethshme. Nga njëra anë ka nga ata, që kërkojnë kushtet e duhura të sigurisë dhe të fillojnë përsëri, sa më shpejt që të jetë e mundur; nga ana tjetër ka nga ata që besojnë se në këtë moment është me vend të presim për të kuptuar evolucionin e situatës.

Në mesin e atyre, që javët e fundit ka kërkuar me forcë të madhe rifillimin e Serie A është edhe Claudio Lotito. Në një intervistë për mikrofonat e Tg2, presidenti i Lazio kujtoi se cila është rëndësia e futbollit në nivel shoqëror, por edhe cilat do të ishin rreziqet, që do ta shoqëronin këtë sport në rast të një ndalese përfundimtare:

“Ne duhet të supozojmë se virusi nuk do të zhduket për një kohë të shkurtër. Kjo është diçka, që ne e dimë me siguri. Për këtë arsye duhet të mësojmë të jetojmë me të. Ajo që ka më shumë rëndësi është t’i bësh njerëzit të kuptojnë se cila është rëndësia e futbollit në nivel shoqëror. Nëse nuk do të rifillonim kampionatin, do të pësonim dëme serioze, të pariparueshme, prej qindra-miliona eurosh”.

Qeveria ka përcaktuar që sportistët e sporteve individuale të jenë në gjendje të rifillojnë stërvitjen nga 4 maji, ndërsa ata ekiporë, sikurse është dhe futbolli, duhet të presin deri në të paktën 18 maj. Sipas Lotito, ky është një vendim i pakuptimtë: “Kjo masë nuk ka logjikë. Kush ushtron një sport individual mund të stërvitet i vetëm në qendrat sportive, ndërsa një skuadër jo. Më duket absurde”.

Presidenti i Lazio shpjegoi se cili është pozicioni i klubit të tij: “Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të rifillojmë. Duke pasur një kulturë mjekësore të studimeve, gjithmonë i kam kushtuar vëmendje mbrojtjes së shëndetit. Ne duhet të fillojmë përsëri, duke respektuar ato protokolle që shërbejnë për të kufizuar mundësinë e ngjitjes së infeksionit. Unë kam shumë njerëz që punojnë në spitale, madje edhe në departamentet e Covid 19; askush nuk u infektua, sepse punoi i sigurt. 

Ne kemi siguruar tamponë, ekzaminim serologjik, spirometri, elektro-kardiogramë ushtrimesh, sepse ky virus mund të ketë efekte në nivelin e miokardit dhe mushkërive. I kemi të gjitha kushtet për t’u stërvitur. Pavarësisht pozicionit tonë në renditje, gjithmonë jam përpjekur të shmang dëmtimin e pariparueshëm të futbollit në tërësinë e tij”. 

(Kosova Sot Online)