Nainggolan dhe Perisic mund të kthehen në Inter, por Icardi jo

  • 29 April 2020 - 13:22
Nainggolan dhe Perisic mund të kthehen në Inter, por Icardi jo

Interit mund t’i kthehen Radja Nainggolan dhe Ivan Perisici nga huazimet e tyre në Cagliari dhe Bayern Munich, por jo edhe Mauro Icardi nga Paris Saint-Germaini.

Sipas Gazzetta dello Sport, trajneri Antonio Conte nuk është kundër idesë së dhënies së një tjetër mundësie për ata dy lojtarë, përkundër që verën e kaluar vendosi që ata s’kanë vend në projektin e tij në Inter.

Me ardhjen e Christian Eriksenit nga Tottenhami gjatë afatit kalimtar të janarit, disa ndryshime duhet të bëhen në skuadër dhe Conte është i gatshëm ta shqyrtojë mundësinë e përdorimit të Nainggolanit dhe Perisicit në skuadrën e tij për sezonin e ardhshëm.

Nainggolan ka shfaqur formë mbresëlënëse në Cagliari, mirëpo klubi italian nuk pritet të jetë në gjendje ta përballojë transferimin e futbollistit në mënyrë permanente, pasi që nuk mund ta përballojë as pagën e tij të plotë.

Sa i përket Perisicit, ai kontribuoi me pesë gola dhe 8 asiste në 22 paraqitjet e tij për Bayern Munichun, por nuk ka asnjë garanci se gjiganti i Bundesligës do t’i paguajë 20 milionë eurot që duhen për blerjen e tij.

Kur vjen puna te Icardi, ende nuk është gjetur ndonjë rrugë që e ardhmja e tij ta kthejë në San Siro, pasi që edhe nëse Paris Saint-Germaini vendos të mos el blejë atë për 70 milionë euro, ai do të shitet te ndonjë klub tjetër.

Ish-kapiteni i skuadrës u nda me klubin pasi u përkeqësuan aq shumë marrëdhëniet mes tyre saqë tani ai nuk do të ishte më i mirëpritur në skuadër. Për më shumë, stili i tij i lojës nuk përshtatet me stilin që Conte e ka sjellë në Inter.

(Kosova Sot Online)