Arthur Melo, ka insistuar se ai nuk do ta shqyrtojë asnjë ofertë nga klubet e tjera

  • 29 April 2020 - 13:40
Arthur Melo, ka insistuar se ai nuk do ta shqyrtojë asnjë ofertë nga klubet e tjera

Mesfushori i Barcelonës, Arthur Melo, ka insistuar se ai nuk do ta shqyrtojë asnjë ofertë nga klubet e tjera, pasi që në mendje e ka vetëm qëndrimin në Barcelonë.

Pasi Mundo Deportivo raportoi të martën se Barcelonës ia kishte dhënë dritën e gjelbër Juventusit të fliste drejtpërdrejt me Arthurin, kjo sugjeroi se dy klubet kishin arritur marrëveshje në parim.

Tani, Gazzetta dello Sport dhe Tuttosport sugjerojnë se propozimi për të cilin janë pajtuar dy klubet është shkëmbim mes mesfushorëve, që do ta çonte Pjanicin në Camp Nou dhe Arthur në Allianz Stadium.

Megjithatë, deri në arritjen e kësaj marrëveshjeje qëndrojnë dy probleme. Problemi kryesor është që Arthuri nuk dëshiron të largohet nga Barcelona, pasi 23-vjeçari iu bashkua katalonasve nga Gremio gjatë verës së 2018-tës për 31 milionë euro.

“Ka gjithmonë spekulime, por unë e kam shumë qartë të ardhmen time. I vetmi opsion që më intereson është të qëndroj në Barcelonë. Jam i sigurt dhe i qetë për këtë gjë”, ka thënë Arthur.

“Unë po kaloj mirë këtu dhe i jam mirënjohës klubit dhe stafit për besimin që ma kanë dhënë. Kjo është një tjetër arsye që më shtyn ta mendoj vetëm qëndrimin këtu”.

“Interesimi i klubeve të tjera është gjithmonë lajkatues për të gjithë dhe një shenjë pozitive, por unë e kam në mendje të luaj këtu edhe për shumë vite të tjera. Barcelona është klubi ku gjithmonë kam dashur të jem dhe unë dua të jem këtu për një kohë të gjatë, më shumë sesa gjithçka”.

“Çdo ditë po ndihem më rehat dhe më i lirshëm këtu, në skuadër, në klub dhe në qytet. Unë e dashuroj shumë edhe kulturën e tifozëve këtu dhe me të vërtetë e ndiej përkrahjen e tifozëve”.

Braziliani i bëri 23 paraqitje me karakter garues këtë sezon, duke i shënuar katër gola dhe duke kontribuar me katër asiste të tjera.

Barcelonë shpreson tani se Juventusi, duke folur drejtpërdrejt me të, do të mundë ta bindë futbollistin ta pranojë transferimin.

Problemi tjetër që po raportohet nga Tuttusport është gara për transferimin e Arthurit, pasi që për të është i interesuar edhe Paris Saint-Germaini, që është i gatshëm ta ofrojë Leandro Paredesin në shkëmbim.

Interi gjithashtu besohet se është i interesuar ta marrë Arthurin si pjesë të marrëveshjes me Barcelonës për transferimin e Lautaro Martinezit, mirëpo braziliani nuk e dëshiron aspak largimin nga Barcelona.


(Kosova Sot Online)