Nuk garantohet kthimi i futbollit kosovar në ndonjë datë të caktuar

  • 29 April 2020 - 17:42
Nuk garantohet kthimi i futbollit kosovar në ndonjë datë të caktuar

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka takuar mikrobiologun nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, Lul Raka. Gjatë takimit, Raka ka theksuar se nuk mund të garantohet kthimi i futbollit në ndonjë datë të caktuar.

Përkundër planeve që kampionati në Superligën e Kosovës të rinisë më 15 qershor, kjo datë po cilësohet si shumë e vonshme nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

FFK dëshiron që kampionati të rinisë më 24 maj, rrjedhimisht stërvitjet e klubeve do të duhej të fillonin rreth 15 majit. FFK-ja ka propozuar që kampionati të rinisë më herët me qëllimin që të respektohet afati i dhënë nga UEFA (20 korrik), në mënyrë që të mos ndërrohet formati i garës apo të anulohet plotësisht sezoni.

Në takimin e tij me Rakën, Ademi kërkoi që ndeshjet e futbollit të rinisin sa më shpejt, duke ia shpjeguar atij pikërisht afat e UEFA-s dhe kohën e nevojshme për fazën përgatitore.

Megjithatë, si ish-futbollist, eksperti Raka tha se e njeh mirë këtë segment, mirëpo shtoi se duke e pasur parasysh kontakt fizik të afërt të futbollistëve dhe numrin e madh të tyre, me kthimin e përshpejtuar rrezikohet përhapje edhe më e madhe e virusit.

Për këtë arsye, Raka sqaroi se rinisja e ndeshjeve të futbollit është lënë për në fazën e tretë dhe mund të ndodhë vetëm nëse dy fazat e para shkojnë mirë dhe nëse nuk ka rritje të të infektuarve, që do të thotë se nuk mund të garantohet për kthimin e futbollit në ndonjë datë.

(Kosova Sot Online)