Duka: Objektivi ynë, të rinisim kampionatin e futbollit në fund të majit

  • 29 April 2020 - 19:05
Duka: Objektivi ynë, të rinisim kampionatin e futbollit në fund të majit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka deklaron se ka shpresa që kampionati I futbollit të nisë në fund të muajit maj.

Në një lidhje skype me emisionin Studio Sprint, Duka u shpreh se FSHF e ka një plan të sajin dhe se ai ka dërguar qeverisë, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje. Duka u shpreh se objektivi i FSHF-së është nisja e kampionatit në fund të majit dhe me një sërë kushtesh të nevojshme për ruajtjen ndaj Covid.

PËRGJIGJA – “Në fakt, nuk kemi pasur as përgjigje pozitive, as negative. Ne kemi bërë një kërkesë, kemi një plan tonin për rifillimin e stërvitjeve dhe të kampionatit, pa spektatorë. Nuk kemi pasur përgjigje nga autoritet qeveritare apo shëndetësore të vendit. Nuk besoj se do të vonohet përgjigja”.

PLANI – “Jam i bindur se do të kemi një përgjigje, të bëjmë një plan të rakorduar mes FSHF-së, qeverisë dhe stafit të shëndetësisë, që sipas një protokolli të përfundojmë të gjitha aktivitet e ndërprera deri në fund të korrikut. Objektivi ynë është të rifillojmë në fund të majit”.

TIFOZËT – “Nuk jemi në kohën që ky sezon të luhet me praninë e spektatorëve. Ne po mendojmë ta përfundojmë aktivitetin pa spektatorë, sipas protokollit që kemi propozuar dhe që jemi të gatshëm ta diskutojmë me qeverinë tonë. Fatmirësisht, përhapja e virusit në Shqipëri, nuk është kaq e madhe sa në shtetet tjera.

RIFILLIMI – “Duke parë që shumica e gjërave po liberalizohen në shoqërinë shqiptare, sipas të gjitha parashikimeve dhe komunikimeve që ka bërë kryeministri Rama, mendoj se do të vijë radha që të liberalizohet dhe futbolli. Praktikisht, është futur në ngjyrën e kuqe, por rrezikshmëria më e madhe është me spektatorë. Rreziku i përhapjes së virusit në futboll pa spektatorë, është pothuajse zero”.

PAKETA FINANCIARE – “Ne kemi miratuar një paketë financiare për të paguar të gjithë ata që jetojnë me futbollin, zyrtarët, punonjësit e klubeve, të cilët nuk përfshihen në paketat qeveritare për të marrë një minimum jetik. Mbase 10% kanë mbetur pa shpërndarë, pasi po bëhen verifikimet e fundit. Futbollistët janë paguar 100%, kanë mbetur për t’u verifikuar disa trajnerë moshash”.

PAGA E DYTË – “Tani do të fillojmë dhe me pagën e muajit të dytë dhe uroj të mos kemi nevojë për një pagë të tretë, por të rikthehemi dhe të luajmë, duke rikuperuar ato dëme financiare. Po, është miratuar paga e dytë. Kështu ka ndodhur, ndërprerja është 2 mujore dhe ne do të kompensojmë. I kemi sqaruar arsyet pse ne kemi vendosur që ta bëjmë këtë sakrificë financiare për anëtarët tanë, pasi FSHF është pronë e atyre që luajnë futboll”.

FONDI I UEFA – “Nuk kemi një fond shtesë, të paktën deri më sot nga UEFA. Ky është një fond, ndoshta për koeçidencë unë jam pjesë e Hat-Trick, që ndryshoi rregullat për përdorimin e fondeve, por gjithashtu dhe për shpejtimin e pagesave ose vënies në funksion për Federatat. Ku projekt, kryesisht merret me investimet në infrastrukturë, por dhe për projekte të tjera, në futboll femrash dhe fëmijëve. Ky propozim i Hat-Trick ishte që të mos i vendoseshin kushte Federatave si të shpërndahet ky fond, pasi po kalojnë një moment të vështirë. Deri më sot, nuk kemi të bëjmë me një fond shtesë. UEFA mund të vendosë të japë një fond shtesë deri në fund të kësaj situatë. Nëse nuk rikthehen aktivitet, edhe UEFA do t’i ketë të reduktuara fondet”.

ANULIMI – “Futbollistët, trajnerët dhe vetë Federatat e Futbollit, nuk vendosin. Janë stafet e gjendjes së emergjencës që vendosin për çdo lloj aktiviteti shoqëror. Objektivi i UEFA-s është që të përfundojnë kampionatet deri më 3 gusht. Konsiderohen argumente bindëse për vende të cilat ndërpresin kampionatin, nga vendimet qeveritare. Çdo vend që ndërpret kampionatet, nuk është pjesëtar i kompeticioneve europiane të viteve tjera. Por UEFA ka marrë argumente bindëse për ndërprerjen e kampionateve, pasi kjo gjë riskon mbarëvajtjen e sezonit të ardhshëm.

BATUTAT – “Një natë para se të ndërpritej futbolli, kam qenë në emisionin tuaj (Pressing). Uroj që kjo javë të jetë e fundit pa futboll dhe të rikthehemi në stërvitje. Nuk besoj se stërvitja është më e rrezikshme se aktivitet tjera të shoqërisë, çdo lloj aktiviteti, zyre, dyqani. Nëse ne rikthehemi në stërvitje sipas një protokolli, çdo ekip mund të bëjë stërvitje me 4,5 apo 10 futbollistë, minimumi çdo futbollist do të ketë 1 mijë metër katror në dispozicion dhe risku do të jetë minimal. Shpresoj të vazhdojmë aktivitetet përkatëse”, u shpreh Duka.

(Kosova Sot Online)