Valon Berisha nuk i ka humbur shpresat për t’u rikthyer sërish dhe për të lenë shenjë me skuadrën bardhekaltër

  • 29 April 2020 - 20:52
Valon Berisha nuk i ka humbur shpresat për t’u rikthyer sërish dhe për të lenë shenjë me skuadrën bardhekaltër

Aventura te Lazio nuk shkoi në mënyrën më të mirë pasi dëmtimet e shpeshta e penalizuan, megjithatë Valon Berisha nuk i ka humbur shpresat për t’u rikthyer sërish dhe për të lenë shenjë me skuadrën bardhekaltër.

Në një intervistë për Fan Zone në Supersport mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, foli për shumë tema që prekin karrierën e tij.

Aktualisht Berisha luan si i huazuar në Bundesligën gjermane me Fortuna Dusseldorf ku ka fituar menjëherë vendin e titullarit, por me shumë gjasa në verë ai do të rikthehet te Lazio.

Ai foli edhe për sfidën play-off të Nations League mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

SITUATA- Ka qenë një muaj i vështirë, por tani kemi disa ditë që kemi nisur stërvitjen në grupe të ndara. Nga e hëna thonë që mund të stërvitemi në grup, por në fillim do të bëjmë testet, pasi duhet miratimi i qeverisë. Kam ardhur këtu për të marrë formën time dhe me trajnerin kam një raport të mirë, pasi njihemi shumë vite më parë. Nuk kam qenë në formë të mirë fizike te Lacio dhe ishte një vit i vështirë. Tani ka kaluar dhe jam mirë fizikisht për të luajtur.

PËRFAQËSIMI I KOSOVËS- Çdo vendim është i vështirë. Në Norvegji jam rritur si lojtar, por për mua nuk ka qenë i vështirë për të zgjedhur Kosovën. Norvegjia na donte të dy lojtarët, por morën një vendim të mirë, pasi ata mbajtën vëllain tim, ndërsa unë zgjodha Kosovën. Për mua është më e rëndësishme fitorja se golat.

LAZIO- Lëndimet bënë një pjesë të madhe që mos të luaja shumë te Lacio. Kam pasur disa dëmtime e duhet të kesh edhe pak fat. Kam kontratë me Lacion edhe për 3 sezone dhe të shikoj çfarë do të vendos për të ardhmen.

COVID-19 NE GJERMANI- Ka shumë rregulla që zbatohen, por janë një nga vendet që kanë mjekësinë më të fortë në botë. Na kanë lejuar të stërvitemi dhe jemi afër rifillimit të kampionatit. Më erdhi rasti të luaj në Gjermani dhe të kap formën time më të mirë. Në korrik jam i Lacios dhe kam dëshirë të bëhem një lojtar i rëndësishëm. Mendoj se kampionati gjerman më përshtatet shumë, por edhe në Itali mund të luaj pa problem.

NDESHJA ME MAQEDONINË– Mendoj se kemi mundësi të fitojmë. Ata kanë më shumë eksperiencë, por ne jemi gati gjithmonë për fitore. Do të jetë një ndeshje e fortë normalisht, por ne jemi gati gjithmonë për Kosovën.

LIGA E KOMBEVE- Jemi në një nivel me kundërshtarët e mund të fitojmë në ndeshjet në shtëpi. Mundësitë janë të dalim në vend të parë, pasi nuk ka shumë diferenca.

(Kosova Sot Online)