Man Unitedi planifikon të shpenzojë shumë para gjatë verës, përkundër krizës

  • 30 April 2020 - 08:42
Man Unitedi planifikon të shpenzojë shumë para gjatë verës, përkundër krizës

Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, e ka ritheksuar përkushtimin e Djajve të Kuq për ta përkrahur trajnerin Ole Gunnar Solskjaer në ndërtimin e tij të skuadrës dhe e kanë qëllimin të jenë tejet garues gjatë afatit kalimtar.

Pozita e Ole Gunnar Solskjaer në klub është vënë disa herë në dyshim që kur ai e mori postin e trajnerit në mënyrë permanente para 13 muajve, pasi e zëvendësoi fillimisht Jose Mourinhon e shkarkuar si trajner i përkohshëm.

Rezultatet e përziera shtuan thirrjet nga disa grupe që norvegjezi të shkarkohej, Megjithatë, mesazhi nga bordi drejtues ka qenë gjithmonë që fituesit të tripletës së 1999-tës me Manchester Unitedin do t’i jepej më shumë kohë dhe burime për ta kompletuar rindërtimin e skuadrës që e kishte filluar.

Para se aktivitetet sportive të ndërpriteshin shkaku i Covid-19 dhe para afatit kalimtar të verës, Solskjaer ishte duke u përgatitur për t’i sjellë të paktën tre lojtarë të rinj.

Përkundër që koronavirusi u ka sjellë klubeve dëme financiare, Woodward beson se klubi mund t’i japë Solskjaerit prapë mbështetjen që i duhet gjatë afatit kalimtar të verës.

“Është gjithmonë një top prioritet për ne ta përforcojmë skuadrën dhe të ndërtojmë në atë që Ole është qartësisht duke e arritur: të jemi në nivelin më të lartë”, tha Woodward.

(Kosova Sot Online)

“Do të thosha se sapo ta kemi rrugën e qartësuar pas kësaj krize dhe kur t’i kthehemi normalitetit, atëherë natyrisht se e kemi qëllim të jemi tejet garues në treg”.

“Siç kam thënë edhe më parë dhe e kam thënë këtë shumë herë, ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar ta përkrahim Olen për të fituar trofe. Ky është synimi ynë kryesor si klub”.