“Sa futbollistë do të duhet të vdesin?” – Neville kritikon autoritetet e futbollit

  • 30 April 2020 - 10:01
“Sa futbollistë do të duhet të vdesin?” – Neville kritikon autoritetet e futbollit

Ish-mbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Gary Neville, thotë se aspekti financiar i futbollit është duke e përshpejtuar kthimin e ndeshjeve më shpejt sesa që duhet, përderisa pyeti se sa futbollistë do të duhet të vdesin për t’i detyruar autoritetet ta pranojnë që zhvillimi i ndeshjeve është i rrezikshëm.

Bota e futbollit ka mbetur e paralizuar që nga marsi shkaku i përhapjes së koronavirus, përderisa ligat franceze, holandeze dhe belge kanë vendosur t’i ndërprerjnë kampionatet për sezonin 2019/20.

Në Angli ende po shpresohet se liga mund të rinisë dhe se sezoni mund të kompletohet në fushën e blertë, përderisa klubet e Premierligës do të takohen të premten për t’i diskutuar planet se si të vazhdojë gara në qershor.

Megjithatë, Neville thotë se ideja e kthimit të ndeshjeve kaq shpejt mund të sjellë një katastrofë dh beson se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë, e jo ekonomisë.

“Zyrtari mjekësor i FIFA-s tha se nuk duhet të zhvillohen ndeshje deri në shtator. Mendoj se nëse do të merrej një vendim që s’do të ndikohej nga aspekti ekonomik, atëherë s’do të kishim futboll edhe disa muaj”, ka thënë Neville.

“Njerëzit tani po i vlerësojnë rreziqet. Sa njerëz do të duhet të vdesin duke luajtur futboll në Premierligë para se rreziku të cilësohet si i papranueshëm? Një? Një lojtar? Një anëtar i stafit do të duhet të shkojë në përkujdes intensiv? Çfarë rreziqe do të duhet të ndërmarrin? Ky diskutim është qartësisht ekonomik”. 

(Kosova Sot Online)