Sulmuesi i Premierligës, kundër kthimit të shpejtë të kampionatit

  • 30 April 2020 - 11:21
Sulmuesi i Premierligës, kundër kthimit të shpejtë të kampionatit

Sulmuesi i Brightonit, Glenn Murray, është shprehur i shqetësuar nga kthimi i parakohshëm i futbollit në Premierligë, pasi që beson se një gjë e tillë do ta rrezikonte shëndetin e personave të përfshirë.

Futbolli do të kthehet në fushën e blertë me rregulla të reja dhe me disa masa parandaluese, pasi ka rreth dy muaj që janë suspenduar shumica e aktiviteteve sportive shkaku i krizës së koronavirusit.

Premierliga po tenton ta gjejë një mënyrë për t’u kthyer në fushën e lojës në qershor, bashkë me Bundesligën e La Ligës, përderisa Ligue 1 e Eredivisie e kanë përfunduar para kohe sezonin dhe Serie A është në dyshim.

Megjithatë, Murray s’është i sigurt se kthimi i shpejtë në fushën e blertë është ide e mirë, pasi që ai thekson se për t’u zhvilluar ndeshjet prapa dyerve të mbyllura do të duhen shumë më shumë njerëz sesa vetëm lojtarët.

“Lista është mjaft e gjatë. Nuk është se vetëm një skuadër prej 25 lojtarëve po shkon për të luajtur kundër një skuadre prej 25 lojtarëve dhe vetëm këta do të jenë të përfshirë”, tha Murray, në një intervistë të dhënë për DailyMail.

“Do të ketë shumë njerëz të përfshirë dhe unë mendoj se kjo potencialisht mund t’i vë njerëzit në rrezik”.

“Kam dëgjuar se po flitet që të vazhdon rregullat për distancim deri në Vitin e Ri dhe unë nuk mund ta imagjinoj se si do të mundë ta praktikonim këtë së pari në stërvitje e pastaj sërish gjatë ndeshjeve”.

“Si mund ta mbash distancën kur vjen puna te korneret dhe gjërat e tilla? Do të jetë shumë e vështirë por vendimi është mbi përgjegjësinë time, kështu që unë vetëm duhet të pres që për këtë të vendosin të mëdhenjtë”. 

(Kosova Sot Online)