Mourinho synon trofeun e katërt të Premierligës

  • 30 April 2020 - 11:47
Mourinho synon trofeun e katërt të Premierligës

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, është i përkushtuar ta shtojë një trofe të katërt të Premierligës në koleksionin e tij personal të trofeve para se t’i japë fund karrierës së vet si trajner.

Tottenhami është klubi i tretë anglez që ia ka besuar detyrën e trajnerit Jose Mourinhos, pasi portugezi më parë kishte qenë dy herë trajner i Chelseat dhe një herë i Manchester Unitedit.

Gjatë periudhës së tij në Stamford Bridge, Mourinho arriti të jetë mjaft i suksesshëm me trofetë e tij të fituara në ligë dhe kupa, përderisa i shtoi edhe tre trofe të tjera në koleksionin e tij gjatë kohës sa ishte në Old Trafford.

Përsëritja e sukseseve të tilla është synimi i 57-vjecarit në Tottenham, i cili vazhdon të ketë vetëbesim përkundër rezultateve dhe kritikave që ka marrë gjatë kohës së fundit.

“Unë preferoj të mendoj se do t’i kem katër trofe të Premierligës”, tha Mourinho, kur u pyet për ambiciet e tij në Sky Sports.

“I kam tri, por preferoj të mendoj se do t’i kem katër”.

Tottenhami kishte qenë në një situatë të vështirë para se të pezulloheshin aktivitetet sportive shkaku i pandemisë Covid-19, mirëpo gjendja e tyre mund të përmirësohet kur dhe nëse do të kthehet kampionati shkaku i shërimit të lojtarëve kyç si Harry Kane dhe Moussa Sissoko. 

(Kosova Sot Online)