Lazio apo Dusseldorfi? Valon Berisha zbulon të ardhmen e tij

  • 30 April 2020 - 12:49
Lazio apo Dusseldorfi? Valon Berisha zbulon të ardhmen e tij

Mesfushori kosovar thotë se ndihet i lumtur në Gjermani dhe se nuk dëshiron të rikthehet në Lazio

Valon Berisha e sheh të ardhmen e tij në futbollin gjerman.

Mesfushori kosovar ndihet i lumtur në Fortuna Dusseldorf, ku është i huazuar nga Lazio.

Përfaqësuesi kosovar insiston se dëshiron të qëndrojë në klubin gjerman.

Fortuna e ka mundësinë e blerjes përfundimtare të kartonit të futbollistit për 5 milionë euro.

Ish-futbollisti Salzburgut po ndihet mirë në Bundesligë, ku ishte duke e rikthyer formën para ndaljes së futbollit shkaku i koronavirusit.

“Kjo pauzë arrin në një moment jo të duhur. Jam ambientuar këtu, isha në rrugë të mbarë për ta rikthyer formën. Por, më pas gjithçka u ndal. E njoh trajnerin Rosler dhe jam përshtatur mirë me ekipin dhe në mesfushë. Kemi bërë ndeshje të mira, por nuk kemi marrë rezultate të mira”, ka thënë Berisha për mediumin “Express”.

Ai synon që me Fortunën ta sigurojë mbijetesën në Bundesligë.

“Kemi mundësi të mira të mbetemi në ligë. Jemi të fortë. Kur të rifillojmë, duhet ta japim maksimumin. Na presin nëntë finale, duhet të përgatitemi sa më mirë. Të luajmë pa publik do të jetë e vështirë. Unë po ndihem mirë në këtë ekip. Më pëlqen Bundesliga, e cila është atraktive. Dua të qëndroj këtu”, përfundoi Berisha.

Futbollisti kosovar nuk ka lënë mbresa të mira tek Lazio dhe nuk dëshiron të rikthehet më tek “Biancocelesti”. 

(Kosova Sot Online)