Arnold ia kërkon Sanchos transferimin në Liverpool: Do të na bënte ekip më të mirë

  • 01 May 2020 - 10:16
Arnold ia kërkon Sanchos transferimin në Liverpool: Do të na bënte ekip më të mirë

Trent Alexander-Arnoldit do t’i pëlqente shumë që Jadon Sancho t’i bashkohej atij në Liverpool, pasi që e lavdëroi yllin anglez të Borussia Dortmundit duke e cilësuar si talent të veçantë.

20-vjeçari Jadon Sancho spekulohet për një kthim në Premierligë, ku megjithatë Manchester Unitedi besohet të jetë klubi me më së shumti gjasa për ta transferuar yllin anglez.

Por, bashkëlojtari i tij në ekipin kombëtar të Anglisë, Alexander-Arnold, ka tentuar ta bindë atë të transferohet në Liverpool, pasi që thotë se do t’i pëlqente të luante përkrah Sanchos, i cili iu bashkua Dortmundit nga Manchester City në vitin 2017.

“Nëse ai do të vinte te ne, ai do ta bënte skuadrën tonë më të mirë”, tha mbrojtësi i krahut të djathtë i Liverpooli në një bisedë të drejtpërdrejtë në Instagram me Michael Dapaah të enjten.

“Kështu që unë do të isha shumë i lumtur nëse ai do të vinte sepse kam luajtur me të në Kombëtaren e Anglisë dhe ai është një talent jashtëzakonisht shumë i veçantë”.

Sancho kishte qenë duke e shijuar një sezon mbresëlënës në Bundesligë, para se kampionati të pezullohej shkaku i koronavirusit. Sulmuesi i kishte shënuar 14 gola dhe i kishte bërë 15 asiste në 23 ndeshje të Bundesligës.

(Kosova Sot Online )