Ministres franceze s’i interesojnë pakënaqësitë e Lyonit: Le të ngrenë padi

  • 01 May 2020 - 10:38
Ministres franceze s’i interesojnë pakënaqësitë e Lyonit: Le të ngrenë padi

Ministrja e Sportit në qeverinë franceze, Roxana Maracineanu, thotë se klubet e Ligue 1 dhe Ligue 2 janë të lira të ngrenë padi në gjyq shkaku i pakënaqësive të tyre lidhur me vendimin për ta mbyllur sezonin aktual para kohe.

Pasi kryeministri francez Edouard Philippe lajmëroi se nuk do të luhej asnjë ndeshje futbolli para shtator, LFP-ja e konfirmoi të enjten se sezoni 2019/20 është përfunduar para kohe dhe se kampioni dhe kualifikimi në Evropë do të vendoseshin në bazë të tabelës aktuale.

Kjo do të thotë që Paris Saint-Germaini arriti ta fitojë titullin e kampionit për të tretin vit radhazi, ndërsa Marseille dhe Rennes i morën dy vendet e tjera kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Lyoni përfundoi në pozitën e shtatë, jashtë vendeve kualifikuese për Evropë. Lyoni ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke thënë se liga është dashur të vendosej në fushën e blertë, edhe nëse do të ishte dashur ndryshim i formatit, e jo në dhomën e bordit të ligës.

Lyoni beson se LFP-ja u ngut për ta mbyllur sezonin, përderisa shtoi se kjo mënyrë nuk është as në pajtim me kërkesat e UEFA-s për kualifikim në Evropë në bazë të meritave sportive, mirëpo e quajti PSG-në si kampion me meritë. Për këtë arsye, Lyoni e apeloi vendimin dhe paralajmëroi ngritje të padisë.

“Nëse dojnë të shkojnë në gjyq, le ta bëjnë këtë. Ne nuk mund t’i shmangim ata, as me ligj. Lëvizja e sportit është autonome. Në këtë situatë kemi disa të kënaqur e disa të pakënaqur”, ka thënë Maracinenau.

“Ajo që ne e bëjmë është që i përforcojmë vendimet e Federatave në mënyrë që ata të mundë t’i ndryshojnë rregullat e veta. Ne duhet të mendojmë për të tjerët dhe shoqërisë. Bota duhet ta dijë si t’i pranojë humbjet”.

(Kosova Sot Online )