FFK: Paratë e UEFA-s janë për ne, të Qeverisë shkojnë në klube

  • 01 May 2020 - 12:26
FFK: Paratë e UEFA-s janë për ne, të Qeverisë shkojnë në klube

Mosmarrëveshjet në mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe disa klubeve elitare po vazhdojnë të thellohen. Shkak, paraja.

Përfaqësues të Llapit, Trepçës ’89, Prishtinës, Ballkanit, Drenicës dhe Ferizajt të enjten janë takuar me sekretarin e FFK-së, Eroll Salihun, prej të cilit kanë kërkuar që shtëpia e futbollit t’ua ndajë paratë e ardhura së fundmi nga UEFA në shumën prej 4.3 milionë eurosh.

Madje, Tahir Batatina – donatori i Llapit – ka kërcënuar se këto klube planifikojnë të tërhiqen edhe nga garat nëse FFK-ja nuk ua ndanë paratë pas një takimi tjetër të radhës që pritet ta mbajnë të hënën këto klube me sekretarin e FFK-së.

Por, FFK-ja insiston se sikurse 500 mijë dollarët e ardhura nga FIFA edhe 4.3 milionë euro të UEFA-s nuk kanë ardhur me destinacionin e klubeve, por të FFK-së.

“Komiteti Ekzekutiv diskutoi edhe për ecurinë e pakos emergjente të FFK-së si dhe për fondet e FIFA-s dhe UEFA-s. Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu njoftoi anëtarët e Komitetit Ekzekutiv se mjetet e UEFA-s nuk janë fond shtesë, por janë të dedikuara si çdo vit për çdo federatë nëpërmjet programit ‘HatTrick’, por që këtë herë UEFA për shkak të situatës së pandemisë i ka përshpejtuar procedurat për tërheqjen e këtyre mjeteve”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit, ku dje u mblodh organi më i lartë i saj.

“Komiteti Ekzekutiv diskutoi edhe gjendjen e klubeve dhe u dakordua që t’i shqyrtojë të gjitha format dhe mundësitë për t’i ndihmuar ato. Komiteti Ekzekutiv është duke pritur alokimin e mjeteve nga pako ndihmëse e Qeverisë dhe të gjitha këto mjetet do t’u shkojnë klubeve, derisa do të shqyrtohen edhe mundësitë tjera”, thuhet në njoftiminin e FFK-së.

Klubet në Kosovë po ankohen se po përjetojnë krizë financiare e cila ka ardhur si rezultat i koronavirusit që e ka goditur ekonominë e vendit. Shumë futbollistë nuk kanë marrë paga qe dy, tre apo edhe katër muaj, kurse shumë klube po e kanë problem t’i paguajnë futbollistët, trajnerët dhe punonjësit e tjerë të tyre.


(Kosova Sot Online)