Neville: Premierliga le t’i zhvillojë ndeshjet jashtë Anglisë

  • 01 May 2020 - 15:55
Neville: Premierliga le t’i zhvillojë ndeshjet jashtë Anglisë

Gary Neville ka sugjeruar që Premierliga duhet ta shqyrtojë mundësinë e zhvillimin të ndeshjeve të mbetura në një vend jashtë Anglisë, në Evropë, ku ka më pak rrezik nga koronavirusi.

Sezoni 2019/20 i Premierligës ka qenë i pezulluar që nga 13 marsi shkaku i pandemisë së Covid-19, edhe pse Premierliga që nga atëherë e ka bërë të qartë synimin për t’i zhvilluar ndeshjet e mbetura.

Sot pasdite do të zhvillohen edhe më tutje negociata mes autoriteteve të futbollit për ta gjetur një mënyrë se si të veprohet më tutje, përderisa raportohet se qëllimi është që të vazhdohet futbolli më 13 qershor.

Megjithatë, Neville është i shqetësuar për zhvillimin e ndeshjeve në Britani të Madhe – edhe nëse vendoset që kjo të bëhet prapa dyerve të mbyllura – duke i marrë parasysh rreziqet.

“Nëse Premierliga me të vërtetë synon t’i zhvillojë ndeshjet në një ambient të sigurt, ata duhet t’i zhvendosin ndeshjet në dy-tri vendet që janë rreth tri apo katër orë larg Anglisë dhe që s’janë të rrezikuara nga koronavirusi”, ka thënë Neville.

“Ata mund t’i marrin lojtarët e Premierligës, punonjësit e televizioneve dhe mediat, mund të vendosen në karantinë për një apo dy javë, dhe pastaj t’i zhvillojnë ndeshjet në një ambient ku është dëshmuar se mund ta përballojnë koronavirusin”.

“Ka disa vende në Evropë që s’e kanë koronavirusin dhe që do të mundë ta përballonin Premierligën. Nëse ata e kanë me të vërtetë qëllim ta mbyllin kampionatin në një mënyrë të sigurt, mund ta bëjnë këtë”. 

(Kosova Sot Online)