Tregon Kryeministri spanjoll: Ligat dhe Federatat do të vendosin për kthimin e futbollit

  • 02 May 2020 - 17:57
Tregon Kryeministri spanjoll: Ligat dhe Federatat do të vendosin për kthimin e futbollit

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka zbuluar se ligat dhe Federatat do të vendosin vetë se kur do të kthehen sportet profesioniste, e jo qeveria.

Në rastin e futbollit, presidenti i La Ligës, Javier Tebas, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, kanë qenë duke u konsultuar me Irene Lozanon, presidenten e Këshillit Kombëtar të Sporteve, për të diskutuar se kur mund të kthehen La Liga Santander dhe La Liga SmartBank.

Tre palët arritën marrëveshje për ta dhënë më të mirën e tyre për ta kthyer futbollin dhe Sanchezi sugjeroi se një gjë e tillë mund të mos jetë edhe shumë larg, gjatë një konference për media të shtunën.

“Unë jam më shumë tifoz i basketbollit sesa i futbollit, por le të shpresojmë se ndeshjet do të kthehen së shpejti”, ka thënë Sanchez.

“Do të jenë ligat dhe Federatat ato që do të vendosin se kur do të kthehen. Ne kemi filluar t’i lejojmë stërvitjet individuale për sportet ekipore”.

“Le të shpresojmë se kjo do të shpejtë, por frikësohem se më shpejt do të mundë t’i shohim në televizion sesa në stadium”.

“Do të jetë e mundur të nisin stërvitjet individuale të lojtarëve dhe stërvitjet bazike të ligave profesioniste nga 4 maji”. 

(Kosova Sot Online)