Sulmues Lukaku, i motivuar nga humbja në Kupën e Botës

  • 02 May 2020 - 20:43
Sulmues Lukaku, i motivuar nga humbja në Kupën e Botës

Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, thotë se ai është në një mision dhe ka shumë energji brenda vetes, që prej humbjes së Kombëtares të Belgjikës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018 në Rusi.

Sulmuesi belg Romelu Lukaku u bë transferimi më i shtrenjtë në histori të Interit verën e kaluar, kur ai u transferua nga Manchester Unitedi në një marrëveshje me vlerë prej 80 milionë eurosh.

Ai ishte gjithashtu pjesë e skuadrës së Belgjikës që përfundoi në vendin e tretë në turneun e Kupës së Botës 2018 në Rusi, pasi që kishte humbur ndaj kampiones eventuale, Francës, në gjysmëfinale.

“Unë jam në një mision”, tha Lukaku, në një intervistë të dhënë për Bleacher Report.

“Zhgënjimi i eliminimit nga Kupa e Botës ishte diçka shumë e madhe, pjesërisht sepse ne ishim aq afër arritjes së një synimi jashtëzakonisht të madh të një ekipi kombëtar të një vendi me vetëm 11 milionë banorë”.

“Kjo më goditi mua. Kur u transferova në Inter, e kisha të gjithë këtë energji, që ishte rritur brenda meje ndërkohë”.

“Dhe tani jam në një mision. I thashë vetes: “Në rregull, ky jam unë, forca”.

27-vjeçari i ka shënuar 23 gola në 35 paraqitjet për zikaltrit në të gjitha garat gjatë këtij sezoni. 

(Kosova Sot Online)