Bojan Krkic kritikon Barçën për blerjen e Braithwaite: Po e tradhtoni planin që na bëri të mëdhenj

  • 02 May 2020 - 21:43
Bojan Krkic kritikon Barçën për blerjen e Braithwaite: Po e tradhtoni planin që na bëri të mëdhenj

Ish-futbollisti i Barcelonës, Bojan Krkic, ka kërkuar nga Barcelona të mos improvizojë më në afate kalimtare, por t’i kthehet planit që i kishte sjellë suksese në të kaluarën – t’u besojë lojtarëve të talentuar nga akademia.

Akademia e famshme e Barcelonës, La Masia, i ka sjellë disa futbollistë legjendarë në ekipin e parë të katalonasve, si Lionel Messi, Xavi, Andres Iniesta e Sergio Busquets, përderisa lojtarë si Gerard Pique dhe Cesc Fabregas ishin kthyer te rrënjët e tyre pas një periudhë në Angli.

Akademia La Masia është ende duke funksionuar, përderisa pritshmëri të mëdha janë krijuar për lojtarë të talentuar si Ansu Fati dhe Riqui Puig, mirëpo Barcelona ka preferuar të shpenzojë më shuam para gjatë afateve kalimtare.

Mungesën e besimit te lojtarët e akademisë, Krkic beson se Barcelona e dëshmoi edhe në rastin e transferimit të Martin Braithwaite, i cili iu lejua Barcelonës përkundër që ishte mbyllur merkatoja shkaku i lëndimeve të Ousmane Dembeles dhe Luis Suarezit,

“Barcelona e ka një plan. Ose, të them më mirë, e kishin një plan. Unë i inkurajoj ata t’i kthehen atij plani”, ka thënë Krkic, në një intervistë të dhënë për gazetën katalonase Sport.

“Çfarë do të ndodhë me Riqui Puig? A do të vazhdojë Ansu Fati me ekipin e parë? Barcelona nuk mund të improvizojë me vendime kaq të rëndësishme. Kjo vlen edhe për menaxhimin e ekipeve U-19 dhe atij B”.

“Transferimi i Braithwaites kur Luis Suarez u lëndua, njëjtë si me Maxi Lopezin masi lëndimit të Samuel Eto’os, është improvizim. Është tradhti ndaj planit që na bëri neve të mëdhenj”.

“Është urgjente që ne t’i kthehemi besimit që e kishim te vetja. Vetëm kështu mund të vazhdojmë të jemi vetvetja”.

(Kosova Sot Online)