FFK-ja e nderon Fadil Vokrrin në 4-vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA

  • 03 May 2020 - 13:00
FFK-ja e nderon Fadil Vokrrin në 4-vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka nderuar legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-presidentin e vet, Fadil Vokrrin, në katër vjetorin e pranimit të vendit në UEFA, i cili u bë i mundur falë punës dhe rolit kyç të tij.

Në Kongresin e UEFA-s më 3 maj 2016, Kosova u bë anëtari i 55-të i shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër. Dy vota ishin shpallur të pavlefshme.

Pranimi në UEFA i hapi rrugë aplikimit për anëtarësim dhe përfundimisht edhe pranim po ashtu në FIFA, shtëpinë e futbollit botëror, i cili erdhi vetëm 10 ditë më vonë, më 13 maj.

Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më pas.

Presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, i shoqëruar nga anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së bënë homazhe dhe vendosen kurora lulesh pranë varrit të Vokrrit.

Në një njoftim për media, FFK-ja tha: “Në ditën e shënimit të 4-vjetorit të anëtarësimit në UEFA, presidenti Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të KE të FFK-së, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, anëtarëve të administratës dhe drejtuesve të grupit të tifozëve “Dardanët”, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Fadil Vokrri. Me këtë rast u vendosën kurora lulesh dhe u bënë nderime për veprën dhe karrierën e legjendës, teksa presidenti Ademi e vlerësoi edhe një herë punën e ish-presidentit dhe të gjithë protagonistëve tjerë që nga mëvetësimi drejt finalizimit të ëndrrës dhe sakrificës së shumë gjeneratave për të qenë pjesë e familjes evropiane të futbollit, duke u zotuar se edhe në vitet e ardhshme drejtuesit e FFK-së do ta vazhdojnë me përgjegjësi rrugën e sukseseve”.

(Kosova Sot Online)