Lazio e kërkon me ngulm Muriqin, por përballet me konkurrencë nga Tottenhami i Mourinhos

  • 03 May 2020 - 16:04
Lazio e kërkon me ngulm Muriqin, por përballet me konkurrencë nga Tottenhami i Mourinhos

Lazio do të bëjë përpjekje ta blejë sulmuesin kosovar të Fenerbahces, Vedat Muriqin, gjatë kësaj vere, por do të përballet me konkurrencë të fortë nga Tottenhami i Jose Mourinhos.

Gjiganti italian Lazio e ka shtuar interesimin për yllin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqin, dhe do të provojë ta sjellë në kryeqytetin italian gjatë afatit kalimtar veror.

Sipas gazetës italiane Gazzetta dello Sport, trajner i Lazios, Simone Inzaghi, është në kërkim të një sulmuesi tash e një kohë dhe pasi e dështoi transferimi i Olivier Giroud nga Chelsea në janar, ai e ka kthyer vëmendjen kah sulmuesi i Fenerbahces Muriqi.

Por Lazio e Inzaghit do të përballet me konkurrencë të fortë në treg për 26-vjeçarin nga Prizreni, i cili është dëshirë edhe e Jose Mourinhos në Tottenham.

Muriqi iu bashkua Fenerbahces nga Rizespor gjatë verës së 2019-s për 3.5 milionë euro, por pas paraqitjeve mbresëlënëse për ekipin kombëtar të Kosovës dhe Fenerin në sezonin e tij të parë te gjiganti turk, vlera e tij në treg u rrit shumë.

Muriqi e barti formën e lartë nga Rizespori në Fenerbahce, duke e vazhduar shkëlqimin me 15 gola dhe gjashtë asiste në 28 paraqitje këtë sezon para se pandemia koronavirus ta pezullonte futbollin.

Loja madhështore në dy sezonet e fundit në ligën elitare turke dhe me ekipin kombëtar dardan ka bërë që shumë klube të mëdha evropiane t’i kushtojnë vëmendje Muriqit.

Përveç Lazios dhe Tottenhamit, thuhet se edhe Manchester Unitedi ka shfaqur interesim për ta pasur në skuadër sulmuesin kosovar për sezonin e ardhshëm.

Muriqi mund të kushtojë rreth 15 dhe 20 milionë euro në treg.

(Kosova Sot Online)