De Bruyne alarmon Realin dhe Liverpoolin: “Nëse UEFA refuzon uljen e dënimit, largohem”

  • 03 May 2020 - 17:39
De Bruyne alarmon Realin dhe Liverpoolin: “Nëse UEFA refuzon uljen e dënimit, largohem”

Ka ardhur ‘kërcënimi’ i parë për një largim të mundshëm nga Manchester City.

Bëhet fjalë për Kevin De Bruyne. Edhe nuk e ka thënë haptazi, ai ka paralajmëruar se do të largohet nëse do të mbetet në fuqi pezullimi dyvjeçar nga kupat e Europës për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar.

Nëse dënimi do të reduktohet në vetëm një vit pezullim, atëherë belgu mund të qëndrojë.

De Bruyne kërkohet nga Real Madridi, derisa ëndrra e tij si fëmijë ka qenë të luajë për Liverpoolin.

 

“Unë thjesht po pres”, tha De Bruyne në një intervistë për gazetën belge “Het Laatste Nieuws”.

“Drejtuesit e klubi na thanë që do të apelojnë dhe ata janë pothuajse 100% të sigurt se kanë të drejtë. Kjo është arsyeja pse unë jam duke pritur për të parë se çfarë do të ndodhë. Unë i besoj ekipit tim. Pasi të merret vendimi, do të rishikoj gjithçka. Dy vjet do të ishin shumë, por në rastin e një viti mund të qëndroj”.

Ndër të tjera, ai foli edhe për Pep Guardiolën, i cili edhe pse ka thënë se do të qëndrojë, asnjëherë nuk i dihet deri ku do të jetë i ulur në stolin e Man City.

Sido që të jetë, 28 vjeçari ka thënë se vendimi i tij s’do të varet aspak nga ajo se çfarë do të bëjë Guardiola.

“Pep tha se do të qëndrojë edhe vitin tjetër, sido që të jetë, pastaj kontrata e tij përfundon. Nuk do ta lejoj që vendimi im të varet nga ajo që Pep po bën”, shtoi De Bruyne mes tjerash.

De Bruyne është pjesë e Man City që nga viti 2015.

Ai ka bërë 209 paraqitje që nga atëherë, ka shënuar 50 gola. 


(Kosova Sot Online)