Edhe ndeshjet e sezonit të ardhshëm në Premierligë mund të luhen pa tifozë në stadiume

  • 04 May 2020 - 10:43
Edhe ndeshjet e sezonit të ardhshëm në Premierligë mund të luhen pa tifozë në stadiume

Klubet e Premierligës janë duke u përgatitur për mundësinë që të luajnë pa praninë e tifozëve në stadiume gjatë gjithë sezonit të ardhshëm.

Derisa klubet janë duke i diskutuar propozimet për kompletimin e këtij sezoni prapa dyerve të mbyllur në terrene neutrale, ato kanë nisur të konsiderojnë edhe ndikimin e zhvillimit të ndeshjeve të sezonit 2020/21 pa praninë e tifozëve.

Klubet presin që futbolli t’i kthehet normalitetit vetëm pasi të ketë vaksinë kundër koronavirusit. Shumica e ekspertëve besojnë se vaksina nuk do të jetë e gatshme deri kah mesi i vitit të ardhshëm.

Në ndërkohë, shumë klube besojnë se prej gjërave të para që mund ta bëjnë është të shpenzojnë pak ose hiç për blerjen e lojtarëve gjatë afatit kalimtar të verës.

Premierliga ka njoftuar se dështimi i përfundimit të këtij sezoni do t’i kushtonte klubeve të saj më shumë se 1 miliard funte, por nëse sezoni i ardhshëm zhvillohet pa praninë e tifozëve nëpër stadiume, ndikimi në financat e klubeve do të jetë edhe më dramatik.

Klubet e Premierligës i fitojnë shumicën e parave përmes të hyrave nga të drejtat televizive dhe, përveç kësaj, të ardhurat i sigurojnë kryesisht nga shitja e biletave dhe marrëveshjet komerciale.

Të hyrat nga këto dy të fundit do të uleshin dukshëm shumë nëse ndeshjet zhvillohen pa tifozë gjatë gjithë sezonit.

(Kosova Sot Online)