Perisic mund të vazhdojë si i huazuar në Bayern

  • 05 May 2020 - 11:21
Perisic mund të vazhdojë si i huazuar në Bayern

Interi dhe Bayern Munichu do të duhet të arrijnë marrëveshje për të ardhmen e sulmuesit anësor Ivan Perisic deri në fund të këtij muaji. Së fundi po spekulohet se kroati mund ta vazhdojë marrëveshjen e tij si i huazuar në Allianz Arena.

Gjiganti i Bundesligës e mori në formë huazimi kroatin gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar dhe e ka opsionin për ta blerë atë këtë verë për 20 milionë euro, mirëpo dy klubet fillimisht duhet të arrijnë marrëveshje brenda këtij muaji.

Gazeta italiane Corriere dello Sport raporton se Bayern Munichu preferon ta mbajë edhe më tutje në formë huazimi kroatin, i cili ka bërë paraqitje mbresëlënëse në Bundesligë, me pesë gola dhe tetë asiste në 22 paraqitjet e tij.

Përkundër paraqitjeve të tij mbresëlënëse, Bayerni duket se nuk është i gatshëm t’i shpenzojë 20 milionë euro për blerjen e tij, kështu që do të duhet të negociohet një marrëveshje me Interin.

E gjithë situata ka ndryshuar shkaku i virusit Covid-19, që u ka sjellë edhe dëme financiare klubeve.

Pasi që Interi nuk dëshiron ta kthejë në skuadër 31-vjecarin, shkaku i pagës së prej 4.6 milionë eurosh në vit dhe kontratës së tij që i përfundon në qershor të vitit 2022, ata do të negociojnë me Bayernin.

Kjo bën që Interi të jetë i gatshëm edhe për marrëveshje të tjera, nëse Bayerni s’pranon t’i paguajë 20 milionë eurot për transferimin e tij.

Si mundësia më e madhe nga mediumet italiane po raportohet të jetë vazhdimi i marrëveshjes për huazim të Perisicit në Bayern edhe për një vit tjetër. 

(Kosova Sot Online)