Rishfaqet futbollisti i Schalkes që ishte shpallur i vdekur para katër vjetëve

  • 05 May 2020 - 11:28
Rishfaqet futbollisti i Schalkes që ishte shpallur i vdekur para katër vjetëve

Ish-futbollisti i Schalkes, Hiannick Kamba, është gjetur i gjallë në Gjermani, pothuajse katër vjet pasi ishte shpallur i vdekur në një aksident trafiku.

Ish-mbrojtësit nga Kongo, i cili kishte luajtur përkrah portierit Manuel Neuer gjatë kohës së tij në Schalke, ishte raportuar i vdekur në janar të vitit 2016, pasi thuhej se kishte qenë pjesë e një aksidenti trafiku në vendlindjen e tij.

Klubi i atëhershëm i futbollistit Kamba, klubi gjerman Vfb Huls, i kishte konfirmuar lajmet se futbollisti nga Kongo kishte ndërruar jetë në mënyrë tragjike në një aksident trafiku.

Megjithatë, futbollisti që tani është 33-vjeçar, është gjetur i gjallë në qytetin gjerman Gelsenkirchen dhe tani mund të përballet me betejë ligjore me prokurorë.

Prokurori Anette Milk ka zbuluar se është duke e hetuar rastin dhe ish-bashkëshorten e Kambas, e cila mori shumë gjashtë-shifrore për sigurimin jetësor të futbollistit, pas vdekjes së supozuar të tij.

Ish-bashkëshortja e tij e kishte kërkuar dëmshpërblimin për sigurimin jetësor të futbollistit kur ishte raportuar për vdekjen e tij. Pasi që ajo i kishte dërguar disa dokumente për vdekjen e tij te kompania e sigurimeve, tani ajo përballet me akuza për mashtrim, pasi që ato dokumente ishin të falsifikuara.

Gazeta gjermane Bild më tutje raporton se Kamba do të jetë i thirrur si dëshmitar në seancat gjyqësore.

33-vjeçari ishte kthyer në Gjermani në vitin 2018, ku punon si teknik kimik për një kompani të energjisë elektrike. 


(Kosova Sot Online)