Llapit nuk i pritet dhe del në stërvitje, FFK u bën thirrje klubeve të mos dalin pa leje

  • 05 May 2020 - 14:43
Llapit nuk i pritet dhe del në stërvitje, FFK u bën thirrje klubeve të mos dalin pa leje

Instucionet Shëndetësore i kanë lehtësuar masat për fazën e parë, ku nuk bën pjesë futbolli. Përkundër kësaj, pas plotë 7-8 javësh, Llapi nuk ka pritur më gjatë dhe menjëherë ka dalë në stadiumin “Zahir Pajaziti” ku i ka filluar stërvitjet. FFK-ja bën thirrje te klubet të mos i nisin stërvitjet sepse është në pritje të lejes nga Ministria e Shëndetësisë.

Derisa Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është në pritje që të marrë leje për rifillim të futbollit nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), tashmë klubet mezi po presin të dalin në stërvitje.

Klubet dhe futbolli në Kosovë e ka ndërprerë çdo aktivitet prej 13 marsit shkaku i koronavirusit që e preku edhe vendin tonë.

Tani kur Ministria e Shëndetësisë njoftoi për masat lehtësuese të fazës së parë, në të cilën nuk përfshihet kthimi i aktiviteteve sportive, Llapi veç iu kthye topit pas 7-8 javësh.

Rifillimi i sportit është paraparë të ndodh prej 1 qershorit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, por Llapi i Tahir Batatinës ka dalë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë për të stërvitur në grupe.

Batatina ka shpjeguar se stërvitjet i ka zhvilluar me lojtarët e ndarë në tri grupe. Me secilin grup ka stërvitur nga një orë. Dhe, secili grup nën vete kishte katër grupe me nga dy futbollistë. “Sigurisht se nuk e kemi thyer asnjë masë, e kemi ruajtur distancën, kurse vrapimi dhe stërvitja nuk janë të ndaluara”, ka thënë Batatina, i cili ka konfirmuar se ka vërejtur rënie të formës te futbollistët e tij shkaku i pushimit prej 7-8 javësh si pasojë e COVID-19.  Batatina planifikon të vazhdojë me stërvitje deri më 10 maj me një plan fillestar me shpresën që ekipi i tij sa më shpejt t’i kthehet formës së mëparshme.

Por, Federata e Futbollit e Kosovës u ka bërë apel klubeve që mos të dalin në stadiume pa iu dhënë leja futbollit nga institucionet shëndetësore dhe pa u dezinfektuar stadiumet dhe hapësirat e punës së skuadrave, raporton Gazeta Express.

“I lusim të gjitha klubet të mos nisin stërvitjet ende pa u dhënë lejet. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe që të dezinfektojmë edhe hapësirat e punës nëpër klube”, ka deklaruar për televizionin publik presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

FFK ka kërkuar nga qeveria që t’ua mundësojë klubeve fillimin e stërvitjeve nga 10 maji, kurse rifillimit të garave të Kupës dhe të kampionatit pa shikues t’u japë dritë jeshile nga 24 maji. Nëse institucionet shëndetësore pranojnë kërkesën e FFK-së atëherë stinori mund të kryhet pa problem deri më 20 korrik, afat i dhënë nga UEFA. Në të kundërtën FFK do të detyrohet ta ndryshojë sistemin e garave, të përdorë “Play-Off-in” për ta shpall kampionin e ri dhe për ta mbyllur stinorin. 

(Kosova Sot Online)