Ish-ylli i Argjentinës: Ronaldinho është më i mirë sesa Messi

  • 06 May 2020 - 10:06
Ish-ylli i Argjentinës: Ronaldinho është më i mirë sesa Messi

Ish-futbollisti argjentinas, Martin Cardetti, thotë se ai do ta zgjidhte ish-bashkëlojtarin e tij në Paris Saint-Germain, Ronaldinhon, para bashkëkombësit të tij në Barcelonë, Lionel Messit.

Ronaldinho kishte shijuar periudha të suksesshme në karrierë me Barcelonën, Brazilin, Milanin dhe Paris Saint-Germainin, duke e fituar Topin e Artë në vitin 2005, trofetë e Kupës së Botës, Ligën e Kampionëve e La Ligës, mes shumë titujve të tjerë.

Messi – i cilësuar nga shumë tifozë si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve – ka arritur të thyejë rekord duke triumfuar gjashtë herë në garën për Topin e Artë, përderisa i ka fituar edhe dhjetë tituj të La Ligës, katër të Ligës së Kampionëve dhe shumë të tjera.

Por, Cardetti, i cili e kishte kaluar një sezon duke luajtur përkrah Ronaldinhos në skuadrën e Paris Saint-Germainit, para se braziliani të kalonte në Barcelonë në vitin 2003, beson se Ronaldinho është më i mirë sesa bashkëkombësi i tij argjentinas.

“Si trajner, për skuadrën time do ta kisha zgjedhur Ronaldinhon në kulmin e karrierës së tij para Messit”, ka thënë Cardetti.

“Unë luajta me Ronaldinhon për një sezon dhe ai është thjesht një lojtar më ndryshe, është i prekur nga Zoti”.

“Ai gjithmonë argëtohej, ai bënte gjëra me topin në këmbë që s’i ke parë kurrë dhe pastaj ushtronte shumë për t’i përsëritur ato gjatë ndeshjeve”.

“Unë e shihja atë në stërvitje, në ndeshje dhe ai e bënte çdo lëvizje ndryshe nga të tjerët. Lojtarët si ai shfaqen shumë rrallë dhe mbahen mend në histori të futbollit. Jam krenar që kam qenë bashkëlojtar i atij lloji të lojtarit”.


(Kosova Sot Online)